Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço thotë se në resortin e biznesmenit Vasil Bedinaj në Vlorë, u qëllua me armë nga agresorët, të cilët i kërkuan atij 5 milionë euro, ose të largohej nga vendi.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Karamuço u shpreh se personat që shkuan në hotel duke e kërcënuar me armë, u prezantuan fillimisht si kosovarë.
Karamuço shtoi se konflikti ka nisur me kohë mes tyre dhe se sot ishte finalizimi i saj.
“Nga të dhënat e mbledhura, sidomos nga kamerat e sigurisë, shikoje diku nga Lushnja, një autokolonë automjetesh që shkonin drejt Vlorës, ecnin në mënyrë ushtarake, në distanca të shkurtra. Ngjan si një konflikt që kishte nisur me kohë. Përplasje në formën e vetëgjyqësisë. Diskutimi nuk ka vajtur mirë, nuk kishin ardhur për të rënë dakord, por ka qenë tregues force. Ka pasur përplasje fizike dhe më pas përplasje me armë. Ka pasur ndjekje për disa kilometra, pastaj është vënë në ndjekje policia. Rrezikshmëria është shumë e lartë, të gjithë individët janë identifikuar. Besoj në darkë ka pasur ndalime të tyre. Biznesmenit, përpara disa vitesh i është vënë një eksploziv, por ka arritur ta çaktivizojë. Këto janë vetëgjyqësira. Deklaratat duhen vërtetuar. Flitet për vetëgjyqësi që vijnë nga motive pronësie”, theksoi ai./abcnews.al

