Presidenti i SHBA Donald Trump do të mbajë sonte fjalimin e tij vjetor për gjendjen e vendit, duke pranuar ftesën e Dhomës së Përfaqësuesve që kohët e fundit ngriti akuza për shkarkimin e tij.
Senatorët do të votojnë nëse do ta shpallin fajtor ose jo presidentin Trump. Është praktikisht e sigurt që ata do ta lirojnë atë nga akuzat e shpërdorimit të pushtetit dhe pengimit të drejtësisë, pasi partia e tij republikane ka shumicën në Senat, ndërkohë që për shkarkimin e një presidenti kërkohet një shumicë prej dy të tretat e votave.
“Është diçka e pashembullt në historinë e vendit tonë që fjalimi për gjendjen e vendit mbahet nga një president nën akuzë dhe që kandidon për rizgjedhje,” thotë David Cohen, profesori i shkencave politike në Universitetin Akron të Ohajos.
Të dielën ne mbremje Presidenti Trump u duk se i uli pritshmëritë për të gjetur një bashkëpunim me Dhomen e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, e cila votoi për ngritjen e akuzave ndaj tij, aq më tepër që ky është edhe vit zgjedhjesh. “Për të qenë i sinqertë, nuk jam i sigurt se ata mund ta bëjnë këtë. Mendoj se ata thjesht duan të fitojnë dhe nuk ka rëndësi se si fitojnë,” i tha Presidenti Trump rrjetit televiziv Fox të dielën në një intervistë.
Fjalimi i këtij viti për gjendjen e vendit në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve, ku marrin pjesë ligjvënës demokratë dhe republikanë nga të dyja dhomat e legjislativit si dhe mjaft të ftuar, si sekretarë të kabinetit apo anëtarë të Gjykatës së Lartë, mund të ndiqet nga rreth 50 milion njerëz. Tema e fjalimit të Presidentit Trump do të jetë “The Great American Comeback” (Rimëkëmbja e Madhe e Amerikës).
Presidenti Trump thekson në mënyrë të përsëritur në komentet për gazetarët dhe në tubimet politike nivelet rekord të arritur nga treguesit e bursave amerikane, për të cilat ai ia jep meritën politikave ekonomike të administratës së tij. Nuk dihet nëse Presidenti do të komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi gjyqin në senat për shkarkimin e tij. Fjalimi i Presidentit Trump, megjithatë, pritet të përqendrohet në çështjet e brendshme dhe nuk ka gjasa që ai të bëjë “ndonjë koment tronditës apo të ri për politikën e jashtme”, tha një zyrtar i lartë i administrates se Trump./abcnews.al


