Në kërkim për drogë e vjedhje, dy të arrestuar në Gjermani, pritet ekstradimi

schedule11:18 - 4 Mars, 2025

schedule 11:18 - 4 Mars, 2025

Finalizohet në bashkëpunim me partnerët gjermanë, operacioni policor i koduar “Exchange 2”.

Në Gjermani është arrestuar një shtetas që akuzohet se në vitin 2022, ka shitur kokainë në mënyrë të përsëritur në  lokalin e tij, në Pogradec.

Po ashtu gjatë operacionit u kap dhe një shtetas tjetër, i dënuar si bashkëpunëtor për vjedhje të kryer në Paskuqan, në vitin 2023.

“Si rezultat i sigurimit të  informacioneve dhe shkëmbimit të tyre, nëpërmjet Interpol Tiranës, me Interpol Wiesbaden, u finalizua operacioni policor i koduar “Exchange 2”. Në kuadër të operacionit, Policia gjermane lokalizoi dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit 44 vjeç dhe 20 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mësohet se në vitin 2022, Gjykata e Korçës i ka caktuar 44-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se në mënyrë të përsëritur, ka shitur lëndë narkotike Kokainë, në lokalin e tij, në Pogradec.

Ndërsa në vitin 2024, Gjykata e Tiranës e ka dënuar 20-vjeçarin, me 6 muaj burgim, për vjedhje.

Sakaq vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!