TIRANË- Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kurse për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, gjyqtari Bani ka lehtësuar masën nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje” dy herë në muaj dhe ndalim i daljes jashtë vendit.
Ndërkaq, avokati i Veliajt, Ermir Beta i kërkoi gjykatës ndryshim mase për Veliajn në këmbim të garancisë pasurore dhe “detyrim paraqitje” për të shoqen Ajola Xoxe.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua mesditën e të hënës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Masa “arrest në burg” u la në fuqi edhe biznesmenin Elman Abule, ndërsa për 5 të tjerë është vendosur masa e detyrimit për t’u paraqitur në prokurori.
Bëhet fjalë për biznesmenët që dyshohet se kanë përfituar tendera në mënyrë korruptive nga Bashkia e Tiranës mes të cilëve, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Masat janë caktuar për të njëjtën çështje për të cilët u vu në pranga kryebashkiaku Veliaj. /abcnews.al