Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha sot se kryeministri i Kosovës Albin Kurti i solli serbët dhe shqiptarët “në cep të luftës” dhe njoftoi se për shkak të kësaj, Beogradi është afër vendimit për të kërkuar kthimin e trupave në Kosovë, sipas saj, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Çdo ditë shkelet jo vetëm marrëveshja e Brukselit por edhe marrëveshja e Kumanovës. Jemi afër që të kërkojmë kthimin e forcave tona në Kosovë sipas Rezolutës 1244, sepse KFOR-i nuk po e kryen punën e vet. Serbët nuk ndihen të sigurt, dhe janë të kërcënuar si fizikisht ashtu edhe për jetën, përfshirë kopshtet e fëmijëve”, tha Bërnabiqi, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Ajo shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës do të prezantojë detaje rreth kësaj, transmeton Klankosova.tv.
Lexo edhe: Qeveria e Serbisë rrit paralajmërimet ndaj Kosovës, Petkoviç kërcënon ushtarakisht
Kryeministrja serbe ka vlerësuar se “gjithçka që bën Kurti është rrezik për serbët dhe shqiptarët, por edhe për Evropën”.
“Është politika e shekujve 18 dhe 19. Ajo ngjall ndjenja dëshpërimi. Jam jashtëzakonisht e shqetësuar dhe ishte e vështirë të flija natën e kaluar”, tha ajo.
Bërnabiqi ka vlerësuar se Kurti nuk po bën asgjë i vetëm, por se ka pasur edhe “ndihmën e partnerëve në BE që nuk po përgjigjen”.
“Në BE nuk reagojnë ndaj asaj që po ndodh, ose reagojnë kur digjet deri në kockë. KFOR-i dhe EULEX-i nuk po e bëjnë punën e tyre, jo vetëm në përputhje me marrëveshjen e Brukselit por edhe me marrëveshjen e Kumanovës. Ata nuk i mbrojnë serbët në Kosovë as në jug e as në veri të lumit Ibër”, tha kryeministrja serbe Ana Bërnabiq./Abcnews.al/