Para Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë ndezur qirinj për të nderuar personelin shëndetësor që humbën jetën si pasojë e infektimit me Covid-19.
Udhëheqësit e institucioneve shëndetësore ju bashkuan thirrjes për ndezje të qirinjve e bashkë me ta edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili tha se ndajnë dhimbjen për humbjen e profesionistëve shëndetësorë, por edhe ndjehen krenarë me punën e tyre.
“Si Ministri e Shëndetësisë shprehim konsideratën për punën, përkushtimin e tyre gjatë gjithë jetës në shërbim të qytetarëve të Kosovës me ruajtjen e shëndetit të tyre por fatkeqësisht 13 nga ta pësuan nga virusi Covid-19 dhe ne sot ndajmë dhimbjen por njëherit krenarinë për punën e tyre dhe përkushtimin sidomos gjatë kësaj faze kur po përballemi ne dhe gjithë globi në luftimin e kësaj pandemie”, tha Zemaj.
13 pjesëtarë të personelit shëndetësorë kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit në Kosovë.


