Ndihmat ushqimore në Fier, Subashi: Kategoritë që përfitojnë janë të përcaktuara, shpërndarja sipas kategorive

schedule15:44 - 26 Mars, 2020

schedule 15:44 - 26 Mars, 2020

Rreth 30 familje të komunitetit rom sot në Sektor-Seman të rrethit të Fierit janë grumbulluar për të protestuar për mosmarrje të ndihmave.

Ata thonë se janë pa ndihmë sociale dhe të izoluar dhe kërkojnë vetëm ndihmë për ushqime, pasi te ardhurat e tyre i siguronin nga mbledhja e mbetjeve të riciklueshme.

Në lidhje me këtë Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, në një lidhje telefonike për ABC News deklaroi se në këtë fshat përpara 3 ditësh janë shpërndarë ndihma për 3 familje ndërkohë që do të vijojë edhe në ditët në vijim shpërndarja e ndihmave për kategori të tjera.

Subashi tha se qeveria e ka të përcaktuar kategorinë që përfitojnë nga ndihmat ushqimore të cilat janë të evidentuara edhe në listat e atyre që marrin përkrahje sociale. Ndërkohë sipas Subashit po punohet që të ndihmohen edhe kategoritë e tjera të familjeve në nevojë.

“Është e vërtetë që sot kishim një situatë në sektor Seman, janë rreth 30 familje të këtij komuniteti që janë në vështirësi. Kemi gjithë këto ditë që vazhdojmë të shpërndajmë ndihma me aq kapacitete sa kemi dhe mundësi kemi si bashki. Janë mbi 1500 ndihma të shpërndara ku janë patur parasysh që shpërndarja e tyre të jetë sipas kategorive të caktuara. Kemi filluar me pensionistët e vetmuar të cilët nuk kanë asnjë mundësi ndihme, kemi vazhduar me shtresat në nevojë.

Janë shpërndarë sipas kategorive të caktuara. Kemi vazhduar me kategoritë e shtresave në nevojë dhe kanë qenë në listën e atyre që marrin përkrahje sociale. Në vijim do vazhdojmë  edhe me kategoritë e tjera.

Ne kemi shkuar para 3 ditësh në këtë fshat dhe kemi shpërndarë pako ushqimore në 3 familje dhe besoj që edhe në vijim do të vazhdojmë të ndihmojmë edhe familjet tjera. Në vendimin e qeverisë është përcaktuar shumë mirë të gjithë kategoritë që përfitojnë.

Ata nuk kanë shkuar në institucione por janë grumbulluar në vendbanimin e tyre, ne po i mbajmë nën mbikëqyrje të gjithë ato shtresa që kanë nevojë, të cilëve u kemi thënë se do të shkojmë ne në familjet e tyre. Ndërkohë kemi bërë dezinfektimin në fshatra dhe po vijojmë akoma. Jemi në bashkëpunim të ngushtë me institucionet shëndetësore në Fier për gjurmimin e të gjithë kontakteve të personave që tashmë janë konfirmuar me Covid-19. Ne si bashki do të vazhdojmë të kryejmë detyrat tona me përpikëri të plotë”, tha Subashi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!