Fabrikat në disa qytete të vendit rrezikojnë të falimentojnë sepse askush nuk shkon të punojë. Deklaratën, kryeministri Edi Rama e bëri pas mbledhjes së qeverisë që u zhvillua në Berat ku paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerim me skemën e ndihmës ekonomike.
Kanë kaluar 4 vjet, por kryeministri nuk e harron as sot eksperiencën që përjetoi në kanionet e Skraparit. Dhe këtë ia di për faleminderit atij që ia prezantoi, sot, President i Republikës. Prandaj refuzon të flasë për ftohtësinë që përflitet në media midis tij dhe kreut të shtetit Ilir Meta për mosdhënien e autorizimit të plotfuqisë për negociatat me Greqinë.
Edi Rama: “Nëse ju keni ardhur deri këtu, për të nxjerrë një lajm se ka një problem mes meje dhe Presidentit, është vendi më i gabuar për ta bërë këtë sepse jemi jo larg kanioneve e mbi të gjitha unë kam dhe detyrimin e mirënjohjes ndaj presidentit që më ka prezantuar me kanionet dhe falë ftesës së tij, kam bërë dhe rafting për herë të parë. Ju ftoj edhe juve që të vini, sapo të fillojë koha e rafting dhe të bëni edhe ju rafting, siç kam bërë unë. Atëherë do kuptoni se pse përgjigja ime këtu nuk është aspak ironike dhe aspak për t’i ikur pyetjes tuaj, por është e vetmja përgjigje që unë mund të jepja përderisa erdhët deri këtu për Presidentin. ”
Së bashku me ministrat e kabinetit që drejton zgjodhën Beratin jo vetëm për të bërë mbledhjen e këtij muaji por për të nxjerrë në pah problemet që ka ky qark. Edhe këtu skema e ndihmës ekonomike ka shkaktuar pakënaqësi.
Edi Rama: “70% e atyre që kanë pretenduar të përfshihen e nuk janë përfshirë në skemë, janë persona nga 24 deri në 45 vjeç, plotësisht të aftë për punë dhe unë nuk mund ta pranoj që investime të kryera, – po marr shembuj në zonën e Delvinës, për fabrika, – të rrezikojnë të falimentojnë për shkak se nuk shkon njeri të punojë. E nga ana tjetër, ata që janë të aftë për punë, të kërkojnë ndihmë ekonomike, ndërkohë që iu ofrohet punë.”
Ndërsa ata që janë prekur gabimisht nga kjo skemë do ti nështrohen një procesi rivlerësimi.
Edi Rama: “Pra, patjetër që ka raste që nuk përputhet rezultati që ka dhënë skema me nevojën e një familje apo një familje tjetër dhe këto familje të gjitha, do të gjendet rruga për t’i përfshirë në skemë. Ka raste të tilla patjetër, por jam i bindur që në këtë fazë do të shikoni përditë histori manipulimi, mendoj mizorisht politik, me këto raste.”
E vëmendshme qeveria premton se do të tregohet edhe me ndërtimin e HEC-ve.
Edi Rama: “Kështu që, ne nuk do lejojmë asnjë lloj vepre industriale, aty ku cenohet e ardhmja e industrisë kryesore të këtij vendi që është turizmi. Patjetër që kjo nuk do të thotë që nuk do ndërtohen më HEC-e në Shqipëri, por do të jemi shumë të vëmendshëm dhe do të veprojmë me vetëdije të plotë kombëtare.”
Deklaratat kryeministri Rama i bëri pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua krijimi i fondit social. Qeveria autorizon bashkitë për të ngritur shërbimet sociale sa më pranë nevojave dhe kërkesave specifike të komunitetit. Është diskutuar edhe për statusin e shërbimit kombëtar të punësimit dhe programin kombëtar të punësimit që është edhe sfida e kësaj qeverie.
Lançimi i këtij program për vitet 2018-2021 do të bëhet në pranverë./abcnews.al