Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe San Marinos, e cila do të zhvillohet sot në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv dhe për menaxhimin e fluksit të automjeteve dhe tifozëve, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të qarkullimit në disa prej akseve pranë stadiumit.
Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (koridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);
-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
-Te sheshi “Willson”, devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.
Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve./abcnews.al


