Ndërtohet nga e para shkolla “Servete Maçi”, Veliaj: Bizhu për qytetin e Tiranës

schedule14:07 - 30 Gusht, 2019

schedule 14:07 - 30 Gusht, 2019

Shkolla “Servete Maçi” në Tiranë është ndërtuar nga e para. Kryebashkiaku Erion Veliaj pasi inspektoi punimet tha se shkolla do të jetë gati për të pritur 600 nxënës në vitin e ri mësimor.

Punimeve po i jepet dora e fundit.  Shkolla “Servete Maçi” në Tiranë më 16 shtator do ti presë 600 nxënësit e saj me mjedise tërësisht të reja.

Kryebashkiku Erion Veliaj pasi pa punën e bërë e cilesoi si shkollën me arkitekturën më të veçantë.

 “Në 2011, plani i administratës së shkuar ishte ta mbyllte shkollën prej kushteve të rënduara dhe të lironte terrenin, nuk e di, për ndonjë pallat a diçka tjetër. Sa shpejt ndryshojnë gjërat, kur do të punosh për mirë! Bashkë me deputeten, me qeverinë, me të gjithë komunitetin e Njësisë 9, e kemi kthyer shkollën në një bizhu. Nëse shkolla “Kosova” mbahej si shkolla më e mirë e re, unë them se “Servete Maçi” e kalon me disa herë. Kemi parë bashki, ministri, por që ia mbërritëm ditës, që një ndërtesë publike, shkollë për fëmijët tanë, të jetë shumë herë më luksoze, shumë herë më cilësore, shumë herë në nivel më të lartë arkitekture e urbanistike, se ndërtesat publike të qeverisë dhe të Bashkisë, nuk e kishim menduar kurrë”

Me ndërtimin e kësaj shkolle kryebashkiaku Veliaj shprehet se në njësinë 8 dhe 9 merr fund problemi i mësimit me dy turne.

 “Dua të ftoj të gjithë banorët, jo vetëm të zonës, por edhe gjithë Tiranës, duke qenë se nuk është vetëm një shkollë lagjeje, por e gjithë qytetit, që të bëjnë përgatitjet e fundit për regjistrimet; ama, ne do të respektojmë kuotat, nuk do kalojmë mbi 600 nxënës, për t’u siguruar që shkollat e reja nuk pësojnë mallkimin e shkollave të vjetra. Sot kemi shkolla cilësore edhe tek “Kosova”, edhe tek “Betim Muço”, “Ardian Klosi”, “Servete Maçi” e të tjera, që kanë filluar të ndërtohen, si “Nënë Tereza” në Kodër-Kamzë, “Kristo Frashëri” te “Don Bosko”, dhe besoj se vetëm duke krijuar një mjedis cilësor për çunat e gocat e qytetit tonë, kemi vënë bastin më të mirë e të sigurt për të ardhmen e këtij qyteti”.

Shkolla “Servete Maçi” do të ketë dhoma të dedikuara, si tek Liceu Artistik, bibliotekë cilësore, një palestër moderne, si dhe një auditorium që mund të përdoret nga nxënësit për koncertet./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!