Pas Shteteve të Bashkuara është Europa që rrezikohet nga ndërhyrjet ruse në zgjedhje. Përmes një analize, revista “The Economist” i bën thirrje BE-së që të marrë në konsideratë akuzat ndaj 13 shtetasve rusë të ngritura në Amerikë.
Nga fundi i viteve ‘80, kur Mikhail Gorbaçev ndërmori perestrojkën, Rusia bëri paqe me Perëndimin. Asokohe u krijuan përshtypjet dhe besimi se palët mund të hiqnin dorë nga përpjekjet për të rrënuar njëra-tjetrën me gënjeshtra dhe teori komplotiste të Luftës së Ftohtë. Por ngritja e akuzave ndaj 13 shtetasve rusë, 16 shkurtin e këtij viti, nga hetuesi i “Russiagate”, Robert Mueller, ka treguar se sa të brishta këto përshtypje kanë qenë në të vërtetë.
Mueller ka deklaruar se në vitin 2014, Rusia ndërmori një komplot kundër demokracisë amerikane dhe ai pretendon se ka prova që përgënjeshtrojnë mohimet e vazhdueshme të Moskës. Sipas një analize të “The Economist”, me mbështetjen e një oligarku të lidhur me Kremlinin, Agjencia ruse për Kërkimet në Internet ngriti një ekip “trollësh”, siç njihen ndryshe manipuluesit online. Këta të fundit krijuan një sistem të gjerë me identitete të rreme me qëllim përçarjen e opinionit publik në Shtetet e Bashkuara, për të devijuar votimin e vitit 2016 nga Hillary Clinton tek Donald Trump.
Por pas Amerikës, “The Economist” paralajmëron se është radha e Europës, e cila gjithashtu është e rrezikuar. Kjo, pasi Rusia ka financuar politikanët ekstremistë, ka depërtuar në sistemet kompjuterike, ka organizuar marshime dhe përhapur gënjeshtra, sërish me qëllimin që të krijojë përçarje. Është e kotë të spekulosh se sa të suksesshme janë përpjekjet e Rusisë në këtë drejtim, vijon analiza, përgjigjia e saktë nuk dihet. Por komplotet në vetëvete janë një fenomen negativ dhe përhapja e tyre në radhët e qytetarëve të pakënaqur mund të përbëjë shqetësime serioze për demokracitë e cënueshme perëndimore.
Nëse vërtet Perëndimi do të mbrohet nga Rusia dhe agresorë të tjerë, atëherë duhet t’i trajtojë akuzat e ngritura nga Mueller në Shtetet e Bashkuara si këmbana alarmi, përfundon shkrimi i “The Economist”. Për të përforcuar tezën e saj, revista prestigjoze nënvizon se rrjetet sociale sot janë një vegël shumë më e fuqishme se taktikat e viteve ’60, që bazoheshin tek dhënia e ryshfetit për gazetarët. Gjithashtu, nuk kushton shumë të përdorësh Facebook-un për të gjetur simpatizantë, për të zbuluar të pavendosurit dhe të perfeksionosh parulla për t’i bërë për vete. Me zgjuarsi, dikush mund të manipulojë sistemin në favorin e tij, siç bëri Rusia dhe një ushtri e tërë është gati për të hedhur baltë./abcnews.al