Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

“Nder të jemi miq dhe aleatë”/ Rama uron Melonin për rekordin historik: Qeveria më jetëgjatë në historinë e Italisë

schedule09:25 - 4 Shtator, 2026

schedule 09:25 - 4 Shtator, 2026

Kryeministri Edi Rama ka uruar homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, në një ditë historike për qeverinë italiane.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama ka përcjellë urimin për Melonin, pasi qeveria e saj, pas 1,413 ditësh në detyrë, është bërë qeveria më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane.

“Është një nder të jemi miq dhe aleatë 🇦🇱❤️🇮🇹”, shkruan Rama në mesazhin e tij.

Me këtë urim, kryeministri shqiptar ka nënvizuar marrëdhëniet e ngushta të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, duke vlerësuar aleancën mes dy vendeve.

Mesazhi i kryeministrit Edi Rama:

“Giorgia, po lexoj se nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Po me të vërtetë? Qenkam mësuar keq unë duke ndërruar bashkëbisedues në Romë pothuajse me ritmin e ndërrimit të trajnerëve të Milanit.

E megjithatë, shiko sa gjë e çuditshme, demokracia italiane nuk duket aspak në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që sidomos ne në të majtë kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza.

Më kujtohet madje se edhe Ursula në atë kohë u shqetësua jo pak. Sot ndërkohë edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç trembeshin, e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht.

Por gjithsesi duhet t’i thuash të gjitha: që kur je ti ka një deficit demokratik të madh në Itali: i nxore burrat jashtë luftës për pushtet, e cila tashmë është bërë një punë mes grash, ekskluzivisht mes grash.

Çfarë të të them më shumë e dashur Giorgia, tani është një tjetër rekord për t’u thyer, imi! Dhe mjerë ata që më thonë se Italia nuk është në Ballkan, eh, sepse jemi gjithmonë prapa Gjermanisë ku një tjetër zonjë e shkëlqyer ka qeverisur edhe më gjatë se unë.

Rroftë Italia, rrofshin gratë italiane dhe shqiptare.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!