NBA, rekordi i ri i Hjustonit

schedule22:30 - 8 Prill, 2019

schedule 22:30 - 8 Prill, 2019

Hjustoni vendosi një rekord të ri në Basketbollin Amerikan për gjuajtjet me vlerë tri-pikëshe. Skuadra nga Teksasi shënoi plot 27 herë në fitoren ndaj Feniksit.

Hjustoni vendosi rekordin e ri në NBA, me 27 kosha tri-pikësh realizuar në një ndeshje të vetme. Një mbrëmje padyshim e paharruar. Plot 8 lojtarë në parket shënuan kosha nga distanca dhe rekordi i NBA-së u thye.

Nga 26, tani janë 27 realizime tri-pikëshe në një ndeshje të vetme të basketbollit amerikan, dhe “vula” iu vu nga Hjuston Rokits. Xhejms Harden shënoi 5 nga 6 tentativat, veçse më i miri ishte Erik Gordon me 8 gjuajtje të sakta (nga 13).

Edhe rekordin e mëparshëm, e mbante po Hjustoni, që duket si skuadra më e specializuar në NBA për këtë element, edhe më e mirë sesa Golden Stejti. Suksesi ishte i thellë, 149-113, ndaj Feniksit, dhe kjo tregon formën e mirë të skuadrës nga Teksasi.

Harden shënoi 30 pikë, Erik Gordon 26 dhe qendra Klint Kapela pati 22. Kapiteni, madje, pushoi gjatë gjithë periodës së katërt, për të qenë më i freskët për Play Off-in.

Trajneri Majk D’Antoni dhe tifozët në “Toyota Center” u kënaqën shumë edhe për faktin se Hjustoni luajti mirë si skuadër, jo thjeshte me aftësi individuale. Plot 12 lojtarë shënuan pikë për vendasit, që do të thotë se ka shumë alternativa në sulm.

Hjustoni mban vendin e tretë në Konferencën Perëndimore dhe që shihet si rreziku numër 1 për Golden Stejtin, pavarësisht se Denveri është në vendin e dytë./abcnews.al