Anija turistike “Nautica”, pjesë e flotës prestigjioze oshienia kruizis ka mbërritur këtë të premte në Portin e Durrësit, duke e shënuar kështu ndalesën e saj të parë për sezonin veror 2025.
Kroçiera luksoze është ankoruar në kalatën numër 5 rreth orës 10 të paradites, pas një ndalese në ishullin Zakinthos të Greqisë. Në bord udhëtonin 676 turistë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia dhe vende të tjera të botës.
Vizitorët kanë në plan të eksplorojnë sitet arkeologjike dhe atraksionet turistike të Durrësit, si dhe destinacionet përreth qytetit, duke përjetuar nga afër kulturën, historinë dhe mikpritjen shqiptare.
Anija “Nautica” lundron nën flamurin e Ishujve Marshall dhe ka përmasa prej 182 metrash gjatësi me kapacitet për të akomoduar deri në 684 pasagjerë. E njohur për dizajnin elegant dhe shërbimin cilësor, ajo është ndër kroçierat më të preferuara për udhëtime në Mesdhe.
Pas vizitës në Shqipëri, “Nautica” do të vijojë itinerarin e saj drejt Malit të Zi, me ndalesën e radhës në qytetin bregdetar të Kotorrit./abcnews.al


