NATO planifikon të mos mbështetet më te avionët amerikanë, ndërsa po rinovon flotën e saj të avionëve të zbulimit, sipas burimeve brenda aleancës ushtarake.
Flota e ardhshme e avionëve të Sistemit të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror (AWACS) të NATO-s do të përbëhet nga avionë të prodhuar nga ”Bombardier” i Kanadasë, të pajisur me zbulimin e tipit ”GlobalEye” dhe një sistem paralajmërimi të hershëm të zhvilluar nga ”Saab” i Suedisë, konfirmuan burimet e NATO-s pas një raporti fillestar nga portali francez ”La Lettre”.
Porosia pritet të përfshijë deri në 12 avionë ”Global 6000” ose ”Global 6500”, me vlerë disa miliardë dollarë.
Një zëdhënës i NATO-s nuk e mohoi ose konfirmoi informacionin.
Më parë ishte raportuar se një vendim përfundimtar pritej nga samiti i NATO-s në Ankara në korrik.
Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA) është përgjegjëse për projektin shumë miliardë dollarësh.
NATO fillimisht kishte planifikuar të porosiste avionët amerikanë ”Boeing E-7A Wedgetail”.
Megjithatë, ky plan u braktis pasi qeveria amerikane njoftoi tërheqjen e saj nga programi vitin e kaluar.
Në shtator, ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se pas çmontimit të planifikuar të avionit të zbulimit AWACS, Berlini po shqyrtonte avionin e paralajmërimit të hershëm ”GlobalEye” të ndërtuar nga ”Saab”.


