Monologu i kësaj të marte në Provokacija ka ngritur shqetësimin për rreziqet e telefonit celular dhe të informacionit të rremë, që sipas Mustafa Nanos po helmon dynjanë. Duke sjellë persoanzhe të njohur që denoncojnë dëmet e shkaktuara nga këto, Nano thekson se viktima më e parë në këtë mes është e vërteta, ndërsa gënjeshtra triumfon. Një tjetër shqetësim sipas Nanos është dhe humbja e kontaktit human dhe komunikimit mes njerëzve.
Monologu i plotë i Mustafa Nanos në Provokacija
Noam Chomsky, një intelektual shumë i rëndësishëm në SHBA, ka kërkuar gjithnjë që mass-media të mos jetë në duart e pronarëve.
“Duhet një mass-media alternative që të mos ketë nevojë për financime tycoon-ësh, në mënyrë që informacioni të mos kontrollohet nga një njeri, apo nga disa njerëz”, ka thënë ai në thelb.
Dhe dëshira i është plotësuar. Sot kemi një mass-media alternative. Janë rrjetet sociale, facebook-u, instagrami, twitter-i, etj, të mbushura me informacion që nuk kontrollohet prej askujt. Informacioni në rrjetet sociale nuk ka më një burim. Janë me mijra e miliona burime.
Çdo përdorues interneti mund të jetë një burim informimi. Ose keqinformimi. Tamam. Keqinformimi, që ka pushtuar botën si të ishte një murtajë. Sepse mass-media alternative, që nuk ka pronar, që nuk ka nevojë të financohet, që nuk mund të kontrollohet, këtë ka sjellë: keqinformimin. Lajmet e rreme, apo siç i ka quajtur Donald Trumpi, fake neës-et, mund të kenë për burim njeriun më të parëndësishëm të botës, por nëse dikush është i interesuar që lajme të tilla të përhapen, mund t’i marrë e t’i shpërndajë për llogari të vet, dhe kështu lajmet e rreme, nga një rrëke e vogël, bëhen një përrua, pastaj një lumë, pastaj një lumë më i madh, e kështu me radhë derisa keqinformimi del nga shtrati e merr përpara ç’të gjejë. Viktima më e parë në këtë mes është e vërteta. Gënjeshtra triumfon. Ajo shkon tek çdo njeri. Sepse çdo njeri ka telefonin me vete. Telefoni i është bërë si një gjymtyrë. Dhe aty, në atë telefon të vogël, ai mund të lexojë çdo lajm, edhe një lajm të hedhur nga dikush në Kamçatka, ashtu si njeriu i Kamçatkës mund të lexojë një lajm të prodhuar nga dikush në Ndroq, Rubik apo Poliçan.
Se mos është vetëm ky problemi. Telefoni na ka bërë që të humbasim magjinë e kontaktit human, magjinë e komunikimit mes nesh. /abcnews.al