“Na thanë që për Vit të Ri do të futemi në shtëpi”, 40 familje në Durrës jetojnë në kontejnerë

schedule18:41 - 16 Janar, 2021

schedule 18:41 - 16 Janar, 2021

40 familje në njësinë administrative të Manzës, përveç temperaturave të ulëta, po përballen me mungesën e ujit të pijshëm prej më shumë se 4 ditë.

“S’kemi ujë, kemi katër ditë dhe nuk na vënë veshin fare. Morëm inxhinierin e Durrësit dhe na ka thënë prisni se do të vij dhe ende nuk ka ardhur.. Jemi 9 persona në një kontejner”, shprehet një qytetare.

Këto familje që pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019, strehohen në 20 kontenjerë. Ata tregojnë se si i shtyjnë ditët aty në kushte të vështira.

“Jetesa është shumë e keqe. Kontejneri ka ambient shumë të vogël. Aty hamë, rrimë”, tregon ajo.

Ndërtesat e dëmtuara ku banonin, janë shembur vetëm përpara dy javësh.  Edhe pse interesohen vazhdimisht në Bashkinë e Durrësit, ata thonë se autoritetet vendore heshtin.

“Banesën e kam individuale, nuk e di çfarë po bëhet. Fillimisht na thanë që për Vit të Ri do futemi në shtëpi, por ende asgjë”, shprehet ajo.

Punimet nuk dihet kur fillojnë dhe Bashkia nuk ka dhënë një përgjigje për nisjen e tyre.

Deri atëherë këto familje do të duhet të përballojnë ngricat, dhe neglizhencën e autoriteteve.

/abcnews.al/