Personi që shihni në foto është 20-vjeçari portugez, Luis Miguel Varela Mendes që u vra me thikë në Ksamil.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, pas një konflikti në lokalin “Principote”.
Një grup turistësh francezë, mes tyre 20-vjeçari me shtetësi portugeze, kishte mbërritur në Ksamil dy ditë para ngjarjes. Ata planifikonin të largoheshin më 26 gusht drejt Spanjës.
Sipas burimeve, konflikti nuk nisi për një vajzë, por për zhurmën në lokal.
Pas batutave dhe lojërave mes grupit të turistëve, situata u tensionua. Në debat ndërhynë edhe tre francezë të tjerë, ndërsa më pas në skenë hynë punonjësit e “Principote”, Davidi Heurtevent dhe Sokrat Lipan alias Sokrat Vata.
I gjithë konflikti fizik ndodhi në plazh, ku, sipas hetimeve, Davidi Heurtevent e goditi me grushte turistin, ndërsa Sokrat Vata e goditi me thikë. 20-vjeçari humbi jetën në vendngjarje. Davidi Heurtevent është shpallur në kërkim, ndërsa Sokrat Vata u arrestua në Levan, i fshehur në bagazhin e makinës së një çifti turk, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak.
Gjatë marrjes në pyetje, Sokrat Vata ka deklaruar se sherri nisi për zhurmën dhe ka pretenduar se thikën e kishte turisti portugez, të cilit ia kishte marrë nga dora dhe më pas e kishte goditur.
Të rinjtë nga Portugalia dhe Franca kanë deklaruar para grupit hetimor se nuk e kanë parë skenën e krimit, por e kanë mësuar kur ka mbërritur Policia. Në ambientet e lokalit, në momentin e ngjarjes, ndodhej edhe pronari Bekim Bulica, i cili është larguar pa e kallëzuar krimin në polici. Ndërsa 4 kameriere janë vënë në pranga.
Në momentin e konfliktit, në “Principote” ndodheshin edhe 4 truproje: Miosid Matushaj, oficer policie në Gjirokastër; Luciano Seferi, punonjës i burgut të Fierit; Romeo Shehu, polic bashkiak në Gjirokastër; dhe Kristi Koshi. Sipas policisë, ata nuk ndërhynë për të parandaluar ngjarjen, ndaj janë vënë në pranga dhe janë pezulluar nga funksionet shtetërore./abcnews.al


