Muzeu i Gjon Milit në Korçë, do të ekspozohen 240 fotografi

schedule17:44 - 13 Gusht, 2018

schedule 17:44 - 13 Gusht, 2018

Mjeshtëria e Gjon Milit do të prezantohet në një muze të vetëm që tashmë është në proces muzealizimi. Në ndërtesën e njohur si shtëpia e rumunëve në Korçë do të ekspozohen 240 fotografi.

Një muze për shqiptarin që revolucionoi artin e fotografisë, duke fiksuar në celuloid lëvizjen. Ndërtesa e ndodhur në qendër të Korçës e njohur si shtëpia e rumunëve, do të jetë shtëpia artistike e Gjon Milit.

Restaurimi është mbyllur. Ai është i organizuar në tre mjedise, ku më përfaqësuesja do të jetë ajo që i dedikohet shpikjes së shekullit, siç u quajt në vitet ‘30, fotografimi stroboskopik.

Drejtore e Marrëdhënieve me Publikun, Bashkia Korçë, Larisa Katundi: “Është dhoma më dritë dhe dhoma e errët që shpjegojnë teknologjinë e elementit stroboskopik, i përshtatur në teknologji bashkëkohore”.

Njohja me artin e Gjon Milit do të vijë përmes 240 fotografive.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Korçë,  Gjergj Koki: “Është blerë e drejta e autorit nga fmailja e Gjon Milit dhe Revista Times, nga Ministria  e Kulturës dhe Bashkia e Korçës. Ato janë formate dixhitale në xham dhe më pas do të riprodhohen në dimensionet përkatëse. Nuk është vlera te fotografia fizike, por te dokumentimi dhe ruajtja e saj në filma xhami”.

Muzeu i kapërcen kufijtë e një vlere kombëtare. Gjon Mili është një artist ndërkombëtar. Familja e tij emigroi kur ai ishte 5 vjeç në Rumani e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas diplomimit si inxhinier elektrik përkushtimi i tij ishte fotografia.

U bë i pari që përdori fleshin elektronik dhe dritën stroboskopike. Punoi për vite si fotoreporter për revistën “Life” dhe hyri në histori përveç se para aparatit të tij pozuan më të rëndësishmit e periudhës në të cilin jetoi si Frank Sinatra, Alfred Hitchcock, Igor Stravinsky apo Sophia Loren por edhe si njeriu që fotografoi Pablo Picasso-n duke pikturuar me dritë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!