Emiljano Musta i ka munguar Kukësit në këto javë, pas një problemi që kishte me muskujt e barkut. Futbollisti nga Elbasani foli në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, duke pranuar presionin që ka të luash me verilindorët.
“Përderisa zgjedhim Kukësin, dihen objektivat. Luajmë çdo ndeshje për fitore, pasi në fund duhen fituar trofe. Shpresojmë të marrim titullin”, tha Musta, i cili më tej tregoi edhe në lidhje me gjendjen e tij. “Kam qëndruar dy muaj larg fushave, por tani jam bashkuar me ekipin. Akoma nuk jam në maksimumin tim në aspektin fizik. Shohim përpara”, shtoi anësori i majtë.
Kukësi luan në Lushnjë sërish, por pritet të kthehet në Elbasan që në ndeshjen e radhës: “Është pak problem, pasi luajmë çdo javë në fusha të ndryshme. Do luajmë në Elbasan Arena, sapo të jetë gati”. Objektivi titull nuk fshihet as nga Musta: “Çdo lojtar do të bëjë përpara. Përderisa erdha besoj dhe dëshiroj shumë që të shpallemi kampion këtë vit”.
I pyetur në lidhje me presionin, lojtari i Kukësit deklaron: “Jemi futbollistë dhe paguhemi se kemi presion. Kudo ka presion, futemi në fushë për të bëra maksimumin. Çdo vite Kukësi do trofe. Presioni është i njëjtë kudo, kërkohen fitore”.
Në fund Musta foli edhe për Flamurtarin, skuadrën me të cilën u aktivizua në dy sezonet e fundit: “Flamurtari është një ekip me traditë dhe më vjen keq për pozitat ku ndodhet. Nuk do kishte kuptim Superiorja pa Flamurtarin, shpresoj të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje”. /abcnews.al