Musolli kërkon ndihmën e tifozëve, Kukësi vendos autobusë falas për ta

schedule19:44 / 25/01/2020

Kukësi do të luajë nesër për herë të parë në “Air Albania Stadium”. Ekip i Shpëtim Duros pret Partizanin në duelin për titull dhe interesimi për këtë përballje është i madh. Klubi verilindor ka vendosur dy autobusë falas për tifozët dhe nisja e tyre do të bëhet në orën 15:00 përpara bashkisë së Kukësit.

Rreth takimit më të fortë të kësaj jave, që nis në orën 19:00, ka folur edhe Besar Musolli. Kapiteni i Kukësit analizon barazimin ndaj Luftëtarit, analizon duelin e nesërm me Partizanin dhe ka një thirrje për tifozët.

SITUATA – “Kam disa vite te Kukësi dhe kam provuar shumë trajnerë, por duhet të përqendrohemi te ky vit. Ka shumë lojtarë të rinj, me perspektivë dhe kemi një moshë mesatare shumë të re. Jemi në rrugën e duhur. Po punojmë mirë dhe jemi në qetësi dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”.

BARAZIMI – “Kemi bërë një punë shumë të mirë në prag të sfidës së zhvilluar në Gjirokastër, e kemi filluar ndeshjen në mënyrën e duhur. Faji është i lojtarëve, sepse trajnerët e kanë përgatitur ekipin në mënyrën e duhur. Na vjen shumë keq, por shpresojmë që me Partizanin të marrim pikët maksimale”.

AIR ALBANIA – “Është një ambient i ri për ne, ndërsa Partizani e ka provuar më parë. Kemi dalë me një thirrje për tifozët që të jenë edhe sa më të shumtë në numër duke na përkrahur. Është një ambient i bukur dhe shpresoj që të bëjmë një ndeshje të mirë, sigurisht duke marrë rezultat pozitiv”.

OBJEKTIVAT – “Çdo gjë po shkon në rrugën e duhur dhe shpresoj që edhe në ndeshjen e radhës të na shkojë shumë mirë, pse jo deri në fund të edicionit, për të qenë një tjetër sezon për t’u mbajtur mend nga mua dhe tifozët e Kukësit”. /abcnews.al

schedule19:44 / 25/01/2020