Tashmë, mund të jetë i qetë për të ardhmen. Ernest Muçi i bindi të gjithë këtë sezon dhe ja ku erdhi momenti që të zyrtarizohet gjithçka për futbollistin e kombëtares shqiptare.
Klubi ku ndodhej këtë edicion, Trabzonspori, njoftoi se është ekzekutuar e drejta për të blerë kartonin e 25-vjeçarit, sipas kontratës së nënshkruar verën e kaluar me Beshiktashin.
Pra, ai është pjesë e ekipit që mbiquhet “Stuhia”.
Klubi I qytetit në Detin e Zi sqaron se shuma e transferimit është 8.5 milionë euro, së cilës i shtohen edhe taksat sipas ligjeve në Turqi.
Pagesa e kësaj shume, sipas marrëveshjes së dy palëve, do të bëhet në 8 këste.
Përveç kësaj, Trabzonspor pagoi 1 milionë euro për Muçin kur e mori si huazim nga klubi i Stambollit një vit më parë.
Edhe Beshiktashi e bëri zyrtarizimin e tij, ndërsa duhet parë se çfarë politike do të ndjekë Trabzoni me yllin kuqezi.
Pra, nëse do të dëgjojë oferta këtë verë për të fituar nga një transferim shumë më i madh se 8.5 milionë euro, apo do të presë të paktën një sezon për të rritur edhe më shumë vlerën e tij.
Që gjatë këtyre muajve është shkruar në mediat turke se profesionalisht Muçi mund të arrijë në 20 milionë euro.
E qartë që trajneri Fatih Teke do të donte ta mbante për rëndësinë që ai ka në ekip, ndërsa mediat shkruajnë e shqiptari ishte një nga 3 lojtarët kyç.
Edicioni që po mbyllet ishte I veçantë për talentin 25-vjeçar, që theu rekordet e karrierës.
Jo më kot shënoi 15 gola për Trabzonsporin nga të cilët 11 në Superligën turke, si dhe shërbeu 9 asiste.
Këtë të premte, ai shpreson të fitojë një trofe në Turqi, pasi luhet finalja e Kupës.


