Moti, këtë vit dyfish më i nxehtë

schedule12:20 - 28 Korrik, 2018

schedule 12:20 - 28 Korrik, 2018

Moti i nxehtë që ka përfshirë Europën këtë vit ka qenë dyfish më i fortë. Një studim i kryer nga një grup shkencëtarësh ka treguar se shkak për këtë anomali janë bërë ndryshimet e klimës.

Ndryshimet e klimës të ardhura si pasojë e aktiviteteve të njeriut e bënë valën e të nxehtit që këtë verë ka kapur Europën dy herë më të fortë. Kështu thotë një grup shkencëtarësh, të cilët i kanë krahasuar temperaturat e larta aktuale me precedentët historikë të regjistruar në 7 stacione meteorologjike në vende të ndryshme të Europës.

Raporti paraprak i hartuar nga studiuesit konstaton se sinjali për ndryshimet e klimës në verën e këtij viti është mëse i qartë dhe nuk duhet të neglizhohet. Gjithashtu, dokumenti nënvizon se edhe shkalla e të nxehtit në Arktik është e paprecedentë.

Shkalla dhe gama e përvëlimit që aktualisht po përjeton kontinenti i vjetër ka ngritur shumë pyetje në lidhje me ndikimin e ngrohjes globale. Për të parë nëse ekziston një lidhje, shkencëtarët mbikëqyrën të dhënat nga stacionet meteorologjike në Finlandë, Danimarkë, Irlandë, Holandë, Norvegji dhe Suedi. Ata zgjodhën këto vende për shkak se kanë dixhitalizuar të dhënat e fillimviteve 1900.

Ekipi përdori gjithashtu disa modele kompjuteri për të vlerësuar shkallën e ndryshimeve të klimës të shkaktuara nga njeriu. Në fund, studiuesit zbuluan se në stacionet meteorologjike në Holandë, Irlandë dhe Danimarkë ndryshimet e klimës në përgjithësi kishin rritur shanset që vala e të nxehtit të ishte të paktën dyfish më e fortë se mesatarja.

Gjithashtu, raporti vlerëson se tre ditët më të ngrohta që pasojnë njëra-tjetrën nuk janë regjistruar ende, por shton se edhe nëse java e ardhshme do të jetë më e nxehtë, ajo nuk do të ndryshojë impaktin tërësor./abcnews.al