“Mos i fshihni të dhënat për Covidin, prag kolapsi”! Përplasja mes Ramës, Metës dhe Bardhit (E plotë)

schedule22:19 - 10 Nëntor, 2020

schedule 22:19 - 10 Nëntor, 2020

Mbrëmjen e sotme Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi shkëmbyen disa replika në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar nga pandemia covid-19. Presidenti dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së akuzuan qeverinë për paaftësi dhe vjedhje, ndërsa Edi Rama reagoi duke thënë se opozita dhe kreu i shtetit i kanë varur shpresat për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore. Por presidenti e akuzoi se po fsheh të dhënat për situatën nga covid duke paralajmëruar se jemi në prag kolapsi.

Replikat e plota mes Ilir Metës, Edi Ramës dhe Gazment Bardhit

Ilir Meta: Në mungesë të një plani dhe strategjie konkrete për të përballuar përhapjen masive të pandemisë COVID-19, të reflektuar me shtim çdo ditë të numrit të qytetarëve të infektuar, fatkeqësisht edhe të humbjeve në jetë, sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve. Në këto kushte, është tepër e domosdoshme të shtohet masivisht numri i testimeve, si një mjet efikas për gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19.

Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan koordinimi i qartë dhe transparent me sistemin privat, për të bashkuar të gjitha energjitë dhe kapacitetet e duhura. Thelbësore gjithashtu është vënia në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, shtimi i stafit mjekësor dhe atij mbështetës, si dhe planifikimi i buxhetit të duhur në ndihmë të tyre. I bëj thirrje Qeverisë të bëjë çdo përpjekje për rimbursimin e plotë të shpenzimeve, veçanërisht të pacientëve që mjekohen në banesë, të familjeve me ndihmë ekonomike dhe të pensionistëve.

Gazment Bardhi: Rama nxorri sot një video-propagandë ku pretendon se gjithçka është në rregull në spitalet tona. Atëherë pse hidhen pacientët nga dritarja? Pse dergjen të sëmurët me orë nëpër ambulanca kur në spitale paska vend? Pse nuk ka staf mjekësor për të gjithë? Pse detyrohen shqiptarët të paguajnë miliona për trajtim në shtëpi? Rama, gënjeshtrat e tua nuk i beson askush.

Edi Rama: Ilir, që ti Monika Luli Saliu i keni varur shpresat tuaja të lodhura për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore, këtë e kupton çdokush me dy fije mend! Që do dështoni edhe më keq se herë tjetër këtë do ta shihni në 25 prill! Kjo që bëni është një turp që do u mbetet juve! Në Itali nga marsi në gusht janë vetëvrarë 71 persona me Covid dhe s’ka bërë vaki të merret opozita me këto tragjedi,po ju s’jeni opozitë, ju jeni një çetë e çakërdisur personazhesh qesharake me kostume serioze!Do kaloni dhe ju bashkë me Covidin,me dhimbje po do kaloni me dimrin!

Ilir Meta: Qytetarët e infektuar po shtohen çdo ditë! Jetët e humbura po shtohen çdo ditë! Shto testimet! Rimburso pacientët të cilët mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19! Rrit buxhetin për sistemin shëndetësor! Shto spitalet COVID! A e di ti sa paguan sot çdo shqiptar për mjekim dhe ilaçe për t’i shpëtuar COVID-19? A nuk ishe ti që ju premtove shëndetësinë falas? Mjaft me koncensione dhe PPP korruptive! Mjaft me tendera sekrete për oligarkët!

Gazment Bardhi: Vetëm një hajdut i pashpirt si ti mund ta quaj normale vdekjen e qytetarëve. Edhe sa njerëz duhet të vdesin vetëm e vetëm se ti refuzon të ndalesh vjedhjen dhe t’i çosh paratë për paisje mjekësore, për shtim të stafit dhe kapaciteteve mjekësore dhe për të ndihmuar qytetarët të blejnë ilaçet e shtrenjta anti COVID?

Edi Rama: Si shpjegohet që tërë kjo botë nuk po ia del dot më mirë se ne, meqë këtu e paska fajin qeveria për rritjen e numrave? Pyetje kot kjo se ti je Shvejku, “Ç’më duhet mua ça them unë!”, jo Presidenti i Republikës! Si të ra kështu kallaji fare o njeri, çfarë do akoma nga Shqipëria! Ilir, infektimet dhe humbjet e jetës po shtohen fatkeqësisht kudo në botë, pavarësisht nga testimet e nga dënglat e tua, Lulit, Monikës e Saliut! Sot në Itali kanë humbur jetën aq sa Shqipëria gjithsej. Krahasuar me numër popullsie i bie që duhet të kishim 30 vdekje në ditë!

Ilir Meta: Nuk ke plan! Nuk ke strategji! Ke vetëm propagandë! Çdo ditë po humbin jetën qytetarë! Çdo ditë numri i të infektuarve po shtohet frikshëm! Ku e ke shëndetësinë falas? Pse nuk ju rimburson çdo qindarkë që paguajnë për ilaçe pacientët që mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19? Pse nuk i shton testimet? Pse nuk e shton buxhetin për sistemin shëndetësor? Ti për vete nuk paguan asnjë kacidhe për ilaçe, ndërsa çdo shqiptari sot me arrogancë i thua: “Mos u sëmur se shteti nuk kujdeset dot për ty! As ilaçet nuk ja u paguaj!” Mos i fshihni të dhënat për COVID-19 për të mbuluar paaftësinë tuaj në menaxhimin e kësaj situate, prag kolapsi!

Mjaft me justifikime dhe batuta bajate! Si nuk u lodhe 8 vite duke vjedhur papushim me koncesione dhe PPP? Askush në botë nuk e shfrytezon pandeminë për të vjedhur si ti dhe Parlamenti yt monist që bën ligje për oligarkët në kulmin e kësaj fatkeqësie! Askush nuk mund të prishte Teatrin Kombëtar në gjendje të jashtëzakonshme për të ndërtuar kulla për oligarkët! Mos i fshihni të dhënat për covid-19!

db/Abcnews.al