43 vjeçari Altin Sulku është plagosur duke punuar në një shtëpi në Durrës. Abc mëson se komshiu Augert Zera është shqetësuar nga zhurma dhe i ka dhënë urdhër që të ndërpresë punën. Fillimisht të dy janë përplasur me fjalë dhe më pas sherri ka agravuar deri në përdorimin e armës.
“Mos bëj zhurmë, e di ti kush jam unë”, kështu ka nisur gjithçka mes tyre derisa 35 vjeçari ka marrë armën dhe e ka qëlluar punëtorin e ndërtimit me një plumb në këmbë.
Duke e lënë të plagosurin në tokë, autori është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij. I plagosuri ndodhet në spital.
“Plagosi me armë zjarri një shtetas, për motive të dobëta, identifikohet dhe shpallet në kërkim 35-vjeçari. Vijon puna intensive për kapjen e tij. Rreth orës 10:00, në lagjen nr.8 Durrës, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobta, është plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. S., 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin e autorit, shtetasit A. Z., 35 vjeç, i cili pas plagosjes është larguar nga vendngjarja. Vijon krehja e zonës, për kapjen e tij“, njofton policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/abcnews.al


