Momenti i paharrueshëm, Uzuni: Mos hiqni kurrë dorë, luftoni për ëndrrat tuaja

schedule17:56 - 26 Nëntor, 2020

schedule 17:56 - 26 Nëntor, 2020

Myrto Uzuni nuk do e harrojë kurrë mbrëmjen e 24 nëntorit. 25-vjeçari nga Berati zhvillonte ndeshjen e tij të parë si titullar në grupet e Champions League. Përballë kishte Juventusin dhe Cristiano Ronaldon, idhullin e tij. Sulmuesi i kombëtares kuqezi, shënoi gol në “Allianz Stadium”, i dhuroi Ferencvaros avantazhin (Juventusi fitoi 2-1 në fund), festoi si ylli portugez dhe në fund ndërroi fanellën me të.

Një gol fantastik për të, një ëndërr e kthyer realitet dhe momente që Uzuni nuk do i harrojë kurrë, të cilët i përmbledh përmes një postimi në “Instagram”. “Kjo foto dhe ky moment do të qëndrojnë gjatë në memorien time, për gjithë jetën, si një moment i kthimit të ëndrrave në realitet. Jam i lumtur që luajta kundër idhullit tim, Cristiano Ronaldos.

 

Shënova kundër ekipit të tij dhe në fund të ndeshjes i mora edhe fanellën. Nuk ka fjalë për të përshkruar atë që po ndjej. Gjithçka që mund të them është: asnjëherë mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja. Luftoni për realizimin e tyre me gjithçka keni. Ëndrrat realizohen një ditë. Unë gjithmonë kam punuar shumë dhe nuk kam reshtur së besuari në realizimin e tyre“, shkruan Myrto Uzuni. /abcnews.al