Kushtet e vështira të punës kanë detyruar mjekët e urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, të paralajmërojnë dorëheqjen nga pozicioni i punës. Ata i kanë shprehur shqetësimin e tyre ministres së Shëndetësisë, Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës.
Mjekët e Urgjencës në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë paralajmërojnë tërheqjen nga pozicioni i punës për shkak të kushteve të vështira krijuar në këtë shërbim. Përmes një letre, ata kanë vënë në dijeni Drejtorin e Pergjithshëm të QSUT Enkelejd Joti, ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e Republikës Ilir Meta. Ata shkruajnë se stafit nuk u plotësohen kushtet e punës bazuar në kontratën punëdhënës-punëmarrës, në urgjencë ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar mbi 48 orë për mungesë vendesh në pavionet e tjera, ndërsa shërbimet e tjera nuk zbatojnë urdhërat e drejtorisë. Për këto arsye, mjekët e urgjencës kanë njoftuar tërheqjen e tyre nga detyra, 30 ditë para siç parashikohet në Kodin e Punës. Letra mban firmat e tetë mjekëve dhe një prej tyre është Petrit Vargu.
“Si pasojë e diskutimeve të brendshme të gjendjes së pashembullt, ku sipas kolegëve të mi, 70 kartela presin për t’u shtuar në spital, ku dhomat janë bërë në dhoma çnjerëzore nga dhoma dyshe, në dhoma katërshe dhe nëse ka dhoma pesëshe ose gjashtëshe sepse i sëmuri rri i ulur nëpër stola për të pritur për t’u shtruar në spital. E prej kësaj situate të nderë, jo të ndërlikuar por të nderë, kolegët e mi vendosën papritur që t’i bënin ballë me largimin nga QSUT dhe jo me lënien e profesionit duke kërkuar punë në një vend tjetër”.
Pas publikimit të letrës së dorëheqjes, zëvendësminstrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, zhvilloi një takim me mjekët e shërbimit të urgjencës. Pas këtij takimi, shefi i shërbimit Edmond Zaimi, në një video, e cila u shpërnda në media nga vetë institucionet shëndetësore pranon problemet në urgjencë, por jo dorëheqjen e mjekëve.
“Situata është e ngarkuar me shumë të sëmurë, jo vetëm të Tiranës, por nga e gjithë Shqipëria, i kalon kapacitetet e shërbimit tonë, shtohet me ngarkesë të madhe për personelin ç’ka bën që edhe rreziku i gabimeve mjekësore të shtohet. Ne s’kemi dhënë dorëheqjen në ‘97-n. Pra, kjo është një kërkesë e jona për të rregulluar problemet nëpërmjet drejtorisë”.
Për këtë çështje reaguan edhe deputetët e Partisë Demokratike.
“Dorëheqjen e mjekëve të urgjencës e konsiderojmë tronditëse. Tregon në thelb dështimin e plotë të sistemit shëndetësor shqiptar në drejtimin e kësaj qeverisjeje. Kuptohet, ky sistem ka pasur vështirësitë e veta përgjatë viteve edhe gjatë drejtimit tonë, por asnjëherë nuk ka qenë i rrënuar si sot në thelbin e vet, ose anulimi i atyre koncesioneve të famshme korruptive prej 400 milionë eurosh, të cilat i janë dhënë njerëzve të afërt të Kryeministrit Rama, që me Vilma Nushin e të tjerë për të ndryshuar situatën”.
Ndërkohë, Presidenti i Republikës angazhoi këshilltarin e tij të ndjekë shqetësimin e mjekëve të urgjencës në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë./abcnews.al
https://youtu.be/Ws7XVpzCzUY