Mjekët e Durrësit protestë për shpërblimin e COVID-19, reagon Drejtuesja e Kujdesit Shëndetësor

schedule15:49 - 20 Maj, 2020

schedule 15:49 - 20 Maj, 2020

“Epidemiologët në Durrës po vijojnë të marrin shpërblimin e parashikuar sipas vendimit të Qeverisë, sipas punës së kryer me identifikimin e rasteve me COVID19”.

Drejtuesja e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor Durrës Aurora Hyka ka reaguar pas kërkesës së Sindikatës së Punonjësve të Shëndetësisë së Durrësit, për shpërblimin për përballjen me pandeminë COVID 19.

“Epidemiologët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në terren dhe dua të vlerësoj punën e madhe të ekipit të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës. E vërteta është se epidemiologët janë konsideruar patjetër si pjesë e ekipeve mjekësore në vijën e parë, dhe si të tillë janë trajtuar nga vendimi i qeverisë për shpërblimin në këtë situatë epidemie, dhe nuk ka asnjë diferencim në pagesë në Durrës krahasuar me zonat e tjera. Pagesat janë marrë dhe po vijojnë të merren në vazhdimësi”, tha Hyka.

LEXO edhe: Mjekët e Durrësit protestë për shpërblimin e COVID-it: E morën vetëm “të preferuarit”

Ditën e sotme Kryetari i Konfederatës së mjekëve në qytetin e Durrësit, Zija Alhysa  tha për ABC News se nuk kanë marrë as shpërblimet dhe as pagesat e punës gjatë shtunave e të dielave për të cilat kanë punuar 3 muajt e fundit.

“Urdhrat e ministres dhe të qeverisë nuk zbatohen për më tepër nga ana e drejtuesve të drejtorisë së Spitalit të Durrësit ka përgjigje me arrogancë dhe nuk ka transparencë. Deri tani asnjë person nuk ka marrë asnjë shpërblim të premtuar. Kemi punuar nga 60 orë në javë dhe asgjë s’kemi marrë”, u shpreh ai./abcnews.al