Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis shprehu urimin që të lëvizet shpejt dhe të shpëtohen jetë njerëzish. Ndërkohë, ministri i jashtëm grek Nikos Dendias do të vizitojë Shqipërinë për të parë në vend pasojat e tërmetit.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka përcjellë skuadrën e ekipit të shpëtimit që u nis për në Shqipëri.
“Ndodhi një tërmet i madh, është shumë e rëndësishme që të jemi kurdoiherë në gatishmëri dhe të ndihmojmë kudo që të nevojitet. Uroj të lëvizim shpejt dhe të shpëtojmë jetë njerëzish. Jemi shumë krenarë që kemi mundësinë të ndihmojmë vendin fqinj. Rrugë të mbarë dhe energji”, tha Mitsotakis në aeroportin ushtarak të Elefsinës pranë Athinës.
Që nga orët e para të mëngjesit, mediat greke e kanë trajtuar si lajm të parë tërmetin në Shqipëri.
Edhe gjatë ditës kanë vazhduar me mbulimin e gjithë zhvillimeve, duke iu referuar kryesisht agjencive ndërkombëtare të lajmeve.
Ministri i jashtëm grek Nikos Dendias do të vizitojë Shqipërinë për të parë në vend pasojat e tërmetit. “Me urdhër të kryeministrit Greqia do të ofrojë menjëherë ndihmë konkrete ndaj Shqipërisë në përballimin e pasojave të tërmetit që goditi vendin”, njofton Dendias me një mesazh në Tëitter. “Komunikova me ministrin e mbrojtjes së qytetarit, Mihalis Hrysohoidis, ndërsa për të njëjtën arsye do të shkoj urgjentisht në Tiranë, në vazhdim të vizitës time në Shkup”, vazhdon ministri i jashtëm grek. Mëngjesin e të martës, Dendias është nisur për në Shkup ku do të realizojë një vizitë zyrtare.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis ka dalë një njoftim për shtyp lidhur me bisedën telefonike që shefi i qeverisë greke zhvilloi me kryeministrin Rama.
“Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka komunikuar në telefon me homologun e tij shqiptar Edi Rama, për t’i shprehur mbështetjen pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin fqinj.
Në të njëjtën kohë, zoti Mitsotakis urdhëroi që të niset menjëherë për në Shqipëri një skuadër e trajtimit të fatkeqësive natyrore (EMAK), me qëllim që të ndihmojnë në operacionet e shpëtimit. Gjithashtu i theksoi kryeministrit Rama se Greqia është e gatshme të ndihmojë me çdo mënyrë që do t’i kërkohet”, përfundon njoftimi nga zyra e kryeministrit grek. /abcnews.al