Trajneri i skuadrës së Vllaznisë, Mirsad Jonuz beson në një rezultat pozitiv në transfertën e Teutës dhe zbulon se grupi i lojtareve nuk është i plotë.
Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz është optimist për duelin ndaj Teutës dhe beson se skuadra që ai drejton do të marrë pikë në Durrës. Kreu i pankinës së shkodranëve zbulon se në radhët e Vllaznisë ka disa mungesa.
“Mund të them që skuadra është gati. Kemi pasur shtatë ditë kohë që të punojmë fort. Luajtëm edhe një ndeshje miqësore. Pas këtij takimi disa lojtarë janë dëmtuar. Të shohim se si është situata me lojtarët e rinj dhe më pas do të vendosim. Krymi dhe Gligorov nuk do të jenë gati. Edhe Emerson ka shqetësime dhe do të vendosim në stërvitjen e fundit. Jemi ndeshur me Teutën në Korçë në një ndeshje miqësore dhe i njohim çfarë skuadre janë. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe ne si skuadër do të japim maksimumin. Kemi disa dyshime sa i përket formacionit titullar që do të zbres në fushë. Jam i kënaqur nga lojtarët për atë që kanë treguar në tre ndeshjet e para. Gjatë kësaj periudhe kemi punuar me aspektin psikologjik me lojtarët. Fitorja ndaj Teutës do të ishte një plus shumë i madh për skuadrën”.
Pas tre takimeve të para Vllaznia renditet në vendin e shtatë në kuotën e 4 pikëve./ABC News Albania 24/7