Në emisionin Real Story në ABC News, me një panel të ftuarish, shkrimtarja Rita Petro, Alda Bardhyli drejtore e qendrës Kombëtare të Librit e Leximit, autorja e programit “Pas Mesnate”, Leontina Nika, dhe profesor Roland Lami, u diskutua për librin, rëndësinë dhe sa si ka vijuar lexueshmëria ndër vite.
Gjatë intervistës, Roland Lami u shpreh se ka dy elementë të rëndësishëm që kanë ndikuar, që janë politika që varen nga institucionet dhe teknologjia. Ai theksoi se nxitja dhe edukimi për leximin e librit lë shumë për të dëshiruar. Më tej u shpreh se digjitalizimi është i pashmangshëm.
“Çështja e librit te ne është strukturale më shumë. Janë dy elementë të rëndësishëm, politikat që varen nga institucionet dhe digjitalizimi. Të dyja këto duhen parë se si e modifikojnë librin. Nëse analizojmë politikat institucionale, shohim se bibliotekat kanë shumë nevojë për tu modernizuar, pasuruar kudo. Po ashtu edhe bibliotekat në shkolla. Në shkollë lë shumë për të dëshiruar nxitja dhe edukimi, orientimi drejt librave. Elementi i dytë ka të bëjë me organizimin e panaireve, sigurisht ka një lloj dinamike të tyre, në vite janë shtuar numri i panaireve. Por më shumë janë për një treg libri se një treg letrar, ku orientohet kritika letrare. Elementi i fundit, është digjitalizimi që është i pashmangshëm, që e fut librin në celular. Nëse shohim në Europë, digjitalizimi nuk është se e ka cënuar sasinë e lexueshmërisë së librit, e ka kanalizuar në formë tjetër, por nuk e ka ulur ritmin e leximit të librit. Ndërsa rasti jonë, është i paprecedentë”, tha Lami.
/abcnews.al/

