Vijojnë miqësoret e klubeve të Superiores. Dje zbritën në fushë Partizani dhe Kukësi, ndërsa sot është radha e katër skuadrave të tjera. Tirana zhvillon ndeshjen e dytë miqësore në tokën turke dhe përballë do të ketë hungarezët e Mezokovesdi.
Takimi do të nisë në orën 13:00 dhe zhvillohet në “Side Grande Aqua Sport Center”, aty ku bardheblutë e Egbos do të tentojnë rezultatin pozitiv pas humbjes ndaj Alanyaspor.
Në të njëjtën orë luan edhe Teuta. Ekipi i Edi Martinit do të ketë përballë Besën e Kavajës dhe miqësorja do të luhet në stadiumin “Niko Dovana”. Një orë më pas është radha e Skënderbeut. Ekipi korçar do të masë forcat kundër Besëlidhjes.
Ndeshja luhet në Tropikal Resort dhe kjo do të jetë një mundësi për drejtuesit e klubit juglindor për të tentuar me homologët lezhjanë një akord për çështjen Sidibe. Edhe Vllaznia do të zbresë në fushë dhe kundërshtari i ekipit shkodran është Pogradeci. /abcnews.al