Ministrja Nikolla: Nuk do të ketë ulje pagash

schedule15:20 - 27 Shkurt, 2018

schedule 15:20 - 27 Shkurt, 2018

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, garanton mësuesit, që kanë përfunduar studimet në institutet pedagogjike, se nuk do t’ju cënohet paga. Sipas ministres së Arsimit, kjo është rregulluar përmes një vendimi qeverie, miratuar një vit më parë.

Mësuesit në arsimin parauniversitar që kanë përfunduar studimet në institutet pedagogjike 3-vjeçare para viteve 1990 nuk do të kenë ulje page. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, deklaroi se kjo kategori arsimtarësh mbrohet nga një vendim i Këshillit të Ministrave marrë në Prillin e vitit 2017.

 

Lindita Nikolla: “Është një vendimmarrje e Këshillit të Ministrave dhe nuk ka asnjë dilemë që një mësues i caktuar që ka mbaruar institutet pedagogjike para ’90-s që të ketë merakun e uljes së pagës. Asnjë ndryshim në pagë. Vetëm mbështetje më shumë për mësuesit”.

Vendimi i qeverisë qartëson se mësuesve që zotërojnë diploma universitare “Bachelor” ose të barazvlefshme me të do të përfitojnë të njëjtën masë të pagës së grupit.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, i bëri këto deklarata pasi ndoqi sesi po funksionon nisma “bëj detyrat e shtëpisë” në shkollën e Kuqe në Tiranë, një nisme kjo, që sipas drejtoreshës së shkollës ka gjetur mbështetjen e prindërve./abcnews.al