Ministri i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar ka akuzuar drejtëpërdrejtë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se qëndron pas sulmit kundër ish spiunit rus. Ndërkohë, hetuesit njoftuan se agjenti kimik i është vendosur të bijës së Sergej Skripal në valixhen e saj gjatë udhëtimit nga Moska për në Britani.
Nuk ka ulje tensionesh mes Moskës dhe Londrës. “Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin me shumë mundësi ka urdhëruar sulmin me agjent nervor kundër një ish spiuni dhe vajzës së tij”. Akuza e rëndë dhe e drejtpërdrejtë është bërë nga ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson. Zyrtari i qeverisë britanikë ka saktësuar se zemërimin e ka me Kremlinin dhe presidentin rus dhe jo me popullin rus. I menjëhershëm ishte dhe reagimi i Moskës: “Londra ka kryer një shkelje të pafalshme të ngrirjes diplomatike”, shkruhet në një deklaratë të Kremlinit.
Ndërkohë, gjurmë të agjentit nervor, që ka çuar në gjendje të rëndë ish spiunin rus dhe të bijën, janë gjetur pikërisht në valixhen Yulia Skripal. Hetuesit britanikë mendojnë se substanca kimike i është vendosur asaj në bagazhe përpara se të nisej nga Moska. Kjo është raportuar nga “The Telegraph” që citon burime të inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar. Tashmë po hetohet rreth mundësisë së intosikimit të një veshje të 33-vjeçares me substancë helmuese ose për një dhuratë, të cilën e ka marrë nga Moska, e që më pas e ka hapur në shtëpinë e babait të saj në qytetin Salisbury.
Më herët për këtë çështje ndërhyri dhe shefi i NATO-s që nënvizoi se “Rusia ka nënvlerësuar “përgjigjen dhe unitetin” e aleatëve të Mbretërisë së Bashkuar”. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg tha se NATO po zhvillon fuqizimin e mbrojtjes kolektive më të madhe që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Mbështetja për Londrën erdhi pasi kryeministrja Theresa May urdhëroi dëbimin e 23 diplomatëve të Rusisë si dhe vendosi sanksione kundër disa zyrtarëve të Kremlinit dhe biznesmenëve që janë të afërt me Vladimir Putin. Nga ana tjetër reagimi i Moskës ishte i njëjtë. Rusia pretendon pafajsinë dhe pavarësisht kësaj, ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, njoftoi se shumë shpejt do të dëbohen zyrtarë Britanikë nga vendi./abcnews.al