Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se operacionet ushtarake të Izraelit kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në Rripin e Gazës dhe në zonat jugore të Libanit.
Sipas Katz, rreth 70% e territorit të Gazës është shkatërruar gjatë operacioneve ushtarake. Ai tha se goditjet nuk janë përqendruar vetëm te strukturat nëntokësore, por edhe te ndërtesat dhe banesat mbi tokë.
“Ne në Gaza nuk shkatërrojmë vetëm atë që ndodhet nën tokë, por edhe të gjitha shtëpitë”, deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes.
Katz foli gjithashtu për situatën në jug të Libanit, duke pretenduar se 24 fshatra janë shkatërruar plotësisht. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për dëmtime të pjesshme, por për rrënim të plotë të ndërtesave në këto zona.
Ai deklaroi se në këto 24 fshatra janë shkatërruar mes 15 mijë dhe 20 mijë shtëpi.
Deklaratat e ministrit izraelit vijnë në një kohë kur lufta në Gaza dhe përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin kanë shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore dhe një krizë të rëndë humanitare.



