Rikthehet Superiorja dhe me takime mjaft interesante. Gjithçka nis prej orës 13:45, ku e ndezin atmosferën ekipet e ngjitura në Superiore, Kastrioti e Apolonia, që përballen mes tyre në Kamzë. Në të njëjtën orë luan edhe Bylisi, në shtëpi, që kërkon fitoren e parë. Ballshiotët përballen me një Skënderbe jo të zakonshëm, por që mbetet i rrezikshëm.
Betejat më të forta luhen nga ora 16:45. Klasikja e Shqipërisë, në një “Loro Boriçi” të boshatisur, me Vllazninë që si rrallëherë në vitet e fundit kryeson kampionatin, kundër një Tiranë kampionë në fuqi që ka shkuar në Shkodër me një numër të madh mungesash. Në lojë ka edhe miliona, vendosur si premio për fitoren. Kjo vlen për Vllazninë.
Në Durrës, Teuta kërkon fitoren për të treguar se është ekip për titull. Përballë do të ketë Kukësin e “pushtuar” nga COVID-19. Cooper e Hetemaj janë futbollistët e infektuar, ndërkohë që të njëjtin fat e ka pasur edhe trajneri Skënder Gega. Pas dy humbjeve në takimet e para të kampionatit, te Kukësi është koha për të reaguar.
E njëjta gjë vlen edhe për Laçin, që e ka nisur me dy barazime kampionatin. Sot kurbinasit kanë një mision të vështirë kundër Partizanit. Luhen në “Elbasan Arena” dhe për trajnerin Ilir Daja kjo është një nga ato ndeshje që fitohet nga ekipi që shfaq më shumë dëshirë. Taktika në plan të dytë, sikurse edhe barazimi. Fitorja vlen për të dyja ekipet. /abcnews.al