Miell, vezë e ujë drejt qeverisë në Kuvend

schedule15:41 - 12 Prill, 2018

schedule 15:41 - 12 Prill, 2018

Nuk kanë munguar situatat e pazakonta edhe ditën e sotme në seancën e Kuvendit. Miell, ujë, vezë, tone të larta dhe akuza reciproke ishin kryefjalë e një seancë që nuk zgjati dot më shumë sesa dy orë. Kryeparlamentari Ruçi ka përjashtuar tre deputetë të PD, Flamur Noka dhe Ervin Salianji dhe Klevis Balliu për hedhje sendesh të paligjshme ndaj drejtuesit të kuvendit e prishje të seancës.

E enjta parlamentare e 12 Prillit solli në shtëpitë e shqiptarëve një tortë pa sheqer.

Kërkesa erdhi nga foltorja e Parlamentit ku kryeopozitari Basha artikuloi kushtin për vijimin e seancës.

“Sot është dita e 13 që 11 kuksianë të pafajshëm mbahen në burg nga banda kriminale e autokratit Rama. 11 njerëz të varfër të dhunuar e rrëmbyer nga shtëpitë e tyre nga Rama-Marku janë në burg. Ky kryeministër që vrasësit  e përdhunuesit i bëri deputetë, kryebashkiakë e politkikanë të lartë i do në pranga 11 kuksianët dhe gjithë shqiptarët e ndershëm.

Ky parlament që mbron Sajmir Tahirin, i do në qeli 11 kuksianët e pafajshëm. Ky kryeministër e ajo prokurore që lanë të arratisej Arben Çejku me 613 kg kokainë i duan të shtypur kuksianët dhe gjithë qytetarët që ngrenë zërin. Ndale seancën menjeherë përjashtoje që të vazhdojë seanca normalisht. Ai do të largohet dhe do mbajë përgjegjësi para ligjit për fyerjet e grabitjet”.

Opozita bllokoi foltoren… mazhoranca vijoi seancën duke marrë fjalën nga vendi.

“Ky debati për protesta për protestuesit bëhet për njerëzit që protestojnë jo me ish ministrat qqë vrasin protestues. Në këtë sallë që nga vendosja e pluralizmit politik është vetëm një njeri që ka mbi kurriz në cilësinë e ministrit 4 të vrarë. Edhe sot e kësaj dite jo vetëm që nuk ka kërkuar ndjesë, i vetmi që ka protestues në pluralizëm por vazhdon edhe te qeshë edhe kur vret njerës. Në 21 janar  janë arrestuar 442 vetë. Në ditët që pasuan 21 janarin kanë bërë burg 42 protestues, për të justifikuar alibinë e përdorimit të armëve në mes të bulevardit”.

Tonet e qeta, nuk zgjatën. Rrugës ndryshoi edhe fjalori.

Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi provoi kartën e fundit për të liruar foltoren.

Ndërpritet seanca, ndërpritet seanca”

Lideri historik thirrjen e grupit parlamentar ia përsëriti nga vendi.

“Zotëri nxirre jashtë njeriun që i ka bërë fyrjen publike më të madhe shqiptarëve, nxirre jahstë njeriun që meriton të thirret sot trap, trap dhe vetëm trap, nxirre jashtë njeriun që shndërroi Shqipërinë në vendin e të burgosurve politikë në traditën e etërve të tij xhelatë

Njeriun që urren Kukësin siç urrente i ati i tij Hamzi Lelën. Nxirre jashtë se parlamenti do ta nxjerrë atë me lecka. Jashtë Edi Rama, kjo është fjala ime”.

Pasi ndërpreu seancën disa herë, kreu I Kuvendit kërkoi largimin e deputetëve që hodhën sende në drejtim të kabinetit.

Seanca rifilloi sërisht, duke futur në lojë edhe kabinetitn qeveritar.

Pas ndërprerjes…dhe rikthimit për të disatën herë, Kreu i Kuvendit vijoi me rendin e ditës.

Në përfundim të seancës kreu i ekzekutivit u largua nga dera e pasme.

“Kam vetëm dy fjalë, një përshendetje për ata që po çojnë peshën e revoltës në gjithë Shqipërinë. Sot nxorrën Ramën nga parlamenti nga dera e pasme, kuksianët, dibranët e të gjithë  veriorët e dinë se çdo të thotë të largohesh nga dera e pasme e shtëpisë apo dera e nevojtores. Shkoi atje ku e meriton”.

Edhe socialistët, fjalën e pamundësuar në sallë e ruajtën për mediat jashtë parlamentit.

“E gjithë kjo dhunë sot në parlament është shprehje e qartë e një solidariteti mes gjyqtarësh të korruptuar e politikanëve ende në parlament si Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha,  të cilët në solidaritet me gjyqtarë të korruptuar penguan vijimin e seancës. Kuvendi me gjithë pamjet e turpshme të servirura me buton nga koordinatori i dhunës Sali Berisha, i cili sa hyri në sallë urdhëroi Monikën e Lulin për të bërë dhunën e radhës. Megjithatë ne jemi shuëm të vendosur për reformën në drejtësi, vettingu do të vijojë me paanshëmri sikurse është paarshikuar në Kushtetutë”.

Pyetjet I refuzoi për ti dhënë fjalën Elisa Spiropalit për të komentuar koleget e saj të reja…

“Dua të theksoj turpin e neverinë që kemi ndjerë si gra të ulura në atë Kuvend për gjuhën e turpshme nga disa gra të keqpërdorua nga PD dhe LSI. Vajzat dhe gratë në këtë Kuvend janë aty për të luajtur rolin e tyre si ligjvënëse për të përfaqësuar njerëzit, jo për t’u keqpërdorur nga dy kryetarë partish të cilët kanë hallin e tyre, kanë probleme me drejtësinë dhe kanë problem me faktin se nuk i fitojnë dot zgjedhjet dhe e vetmja mënyrë sesi mund t’ia dalin është të shkaktojnë dhunë si në sallë e jashtë saj”.

Mazhoranca arriti të miratojë projektvendimet dhe marrëveshjet e paracaktuara në rendin e ditës, vetëm me votat e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!