Meta takon lideren e Mijanmarit, ndjekësit i kujtojnë akuzat për spastrim etnik

schedule16:42 - 22 Tetor, 2019

schedule 16:42 - 22 Tetor, 2019

Presidenti Ilir Meta ka publikuar në profilin e tij në Facebook një foto me lideren e Mijanmarit, Aung San Suu Kyi duke theksuar se ajo është një shembull për demokracinë në të gjithë botën.

“Ishte kënaqësi të takoja sot Nobelisten e Paqes të mirënjohur, Aung San Suu Kyi, zonjë e jashtëzakonshme dhe shembull frymëzimi për demokraci në mbarë botën!”, shkruan Meta në Facebook, ndërkohë që ka marrë një numër të madh reagimesh negative pasi Aung San Suu Kyi akuzohet për spastrik etnik dhe genocid ndaj minoritetit Rohingya në Mijanmar.

Amnesty International raporton se në vitin 2017 janë përndjekur dhe shpërngulur prej kërcënimit të vrasjeve, përdhunimeve dhe shfarosjes plot 700 mijë banorë Rohingya të Mijanmarit duke gjetur strehim në Bangladesh dhe shtetet e tjera përreth.

Eksodi i Rohingya-ve nga Mijanmari ka qenë edhe është kryetemë në mediat botërore.

Në verën e këtij viti OKB publikoi një raport mbi krizën e këtij minoriteti të Mijanmar duke i gjetur të mbështetura një pjesë të akuzave për spastrim etnik, ndërsa e cilëson një dështim të vërtetë performancën e përfaqësuesve të tij gjatë viteve të shkuara në këtë vend.

Ndërkohë, raporti nuk gjeti një lidhje direkte mes Aung San Suu Kyi dhe krimeve ndaj këtij minoriteti duke ia hedhur përgjegjësinë ushtrisë. /abcnews.al