Presidenti Meta u prit në një takim të veçantë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres. Në fokus të bisedës ishte integrimi europian i Shqipërisë dhe roli i saj në rajon.
Qëllimi kombëtar i Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Këtë objektiv i nënvizoi Presidenti Meta Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres. Në takimin e posaçëm me Guterres presidenti Meta vlerësoi faktin se Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm konstruktiv në rajon.
“Ambicja e Shqipërisë për të qenë anëtare e Këshillit të Sigurimit për vitet 2022-2023, – tha Meta,- do të jetë vazhdimësi e kontributit të saj në interes të paqes e sigurisë rajonale e globale dhe një zë përfaqësues i rajonit tonë në këtë organizatë të rëndësishme”.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm Guterres, e vlerësoi rolin shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e projekteve zhvillimore në Shqipëri dhe në rajon. Presidenti Meta dha vleresimet e tij per lidershipin e Guterres në përpjekjet për të reformuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe për të avancuar Agjendën 2030./abcnews.al