Mësuesit refuzojnë fshatin/ Shkodër, problem shkolla e Thethit në Dukagjin

schedule13:47 - 7 Shtator, 2023

schedule 13:47 - 7 Shtator, 2023

SHKODËR- Muaji shtator është një muaj i veçantë pasi shumë vogëlushë fillojnë klasën e parë duke nisur kështu rrugëtimin e bukur drejt dijes. Por, edhe këtë vit, në disa shkolla të vendit raportohen probleme dhe një ndër to është mungesa e stafeve mësimore.

Një problematikë e tillë është identifikuar në njësitë administrative të zonës së Dukagjinit, konkretisht në Pult, Shosh dhe Shalë. Briselda Kadija, drejtore e ZVA-së Shkodër e konfirmoi këtë mungesë, ndërsa tha se edhe në shkolla të tjera të Shkodrës, ka nevojë për ndërhyrje në infrastrukturë dhe bazë materiale.

“Do kemi shkolla edhe këtë vit që do e zhvillojnë mësimin me turne. Kemi pesë shkolla, që janë tre në qytet dhe dy në njësi administrative. Kemi shkolla në mes të qytetit që vit pas viti, janë bërë meremetime dhe sistemime, por kanë nevojë për ndërhyrje. Ka nevojë për ndërhyrjen në shkollën e Thethit. Në zonë e Thethit kemi një problematikë, që shpeshherë kemi pasur probleme me plotësimin me personel mësimor, janë krijuar hapësira për të pasur vende vakante për mësues, por largësia e këtyre zonave nga qyteti e ka bërë shpeshherë të pamundur për të ofruar shërbimin arsimor atje”, tha ajo.

Gazetari i ABC News, Simon Shkreli thotë se këtë vit vihet re një ulje e numrit të nxënëse dhe kjo vjen si pasojë e shumë faktorëve.

“Për të regjistruarit në klasën e parë shifra është shumë e ulët. Në klasën e parë këtë vit, në 68 klasa, janë 1309 nxënës, ndërkohë një vit më parë kemi pasur 1302 nxënës. Në vitin e parë të shkollave të mesme në vitin 2022 kemi pasur 1379 nxënës, ndërkohë që këtë vit kemi 1335. Ka një ulje të regjistrimit të nxënësve në shkolla të mesme, rënia e numrit të nxënësve, sipas ZVA-së Shkodër ka të bëjë me shumë arsye. Nuk është vetëm arsyeja e largimit, por kemi të bëjmë edhe me uljen e lindshmërisë, por edhe interesin e nxënëseve, të cilët preferojnë të zhvendosen dhe të shkojnë në zonat e tjera të Shqipërisë”, raportoi gazetari./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!