Me përfundimin e xhiros së fundit, të fazës së grupeve të UEFA Champions League, mbrëmjen e së mërkurës, që sapo lamë pas janë mësuar edhe emrat e 16 skuadrave, që kanë siguruar vazhdimësinë, në turneun, më prestigjioz për klube, në “kontinentin e vjetër”, ku padyshim ka edhe supriza.
Kështu, si “kokat e grupit” kanë kaluar Bayern Munich, Arsenal, Real Madrid, Real Sociedad, Atletico Madrid, Borussia Dortmund, Manchester City e Barcelona, ndërsa si vende të dyta janë kualifikuar Copenhagen, PSV Eindhoven, Napoli, Inter, Lazio, PSG, RB Leipzig e Porto dhe tashmë mbetet vetëm hedhja e shortit për të zbuluar çiftet e skuadrave, që do të përballjen me njëra-tjetrën.
Përsa i përket shortit gjithçka do të përfundojë mesditën e të hënës, së 18 dhjetorit, ku në orën 12:00, në Nyon të Zvicrës do të mësohen çiftet e kësaj faze, me skuadrat kryesuese të secilit grup që do të përballin një nga ekipet e pozicionuara në vendin e dytë, me dy përjashtime nuk mund të përballen dy klube të të njëjtit vend dhe nuk mund të përballen dy klube që janë ndeshur tashmë në fazën e grupeve.
Me përcaktimin e çifteve, ndeshjet e para të fazës së 1/8-ave do të luhen në 13-14 dhe 20-21 shkurt 2024, ndërkohë që ato të kthimit do të zhvillohen në 5-6 dhe 12-13 mars 2024, ndërkaq, kujtojmë se finalja e madhe e këtij kompeticioni këtë sezon do të zhvillohet në mitikun britanik, “Wembley”, i cili është stadiumi që ka mbajtur më shumë finale të UEFA Champions League, plot 7 të tilla. /i.m /abcnews.al