Nga Ajgena Korbi
Të punosh, e njëkohësisht të dërgosh fëmijët në mësim në orare të ndryshme, e më pas ti marrësh nga shkolla është e vështirë dhe shpesh e pamundur për shumë prindër në Tiranë.
Për këtë shqetësim të tyre “Abc News” pyeti Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar.
Fiqiri Çifligu përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore, na tregon se drejtuesve të shkollave 9-vjeçare i është kërkuar që nxënësit të cilët vijnë nga një familje, ti vendosin në të njëjtin turn mësimi.
“Ne i kemi kërkuar me shumë seriozitet, se nëse ekziston mundësia më e vogël, kjo situatë të rregullohet. Është gjëja më minimale që duhet të bëjë një drejtues shkolle”, shprehet ai.
Një tjetër vendim që është parë me dyshim e ka ngjallur kundërshti në nisje të vitit të ri shkollor është dhe ky formular përmes të cilit prindi çdo ditë duhet të deklarojë gjendjen shëndetësore të fëmijës.
Çifligu nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar mohon që plotësimi i tij ti jetë kërkuar dhe nxënësit ndërkohë që shpjegon pse është marrë një masë e tillë.
“Këtë pjesën e deklarimit të problemeve shëndetësore e kemi problem, nuk e themi. Për të rritur ndërgjegjshmërinë e prindërve të deklarojnë gjendjen e fëmijës kur është nisur në shkollë, kërkohet një vetëdeklarim që mund të bëhet nëpërmjet një mesazhi nga prindi tek mësuesi kujdestar. Nuk i kemi kërkuar asnjëherë fëmijës. Nëqoftëse deklarohet nga prindi që fëmija ka reflektuar shenja të temperaturës atëherë koordinatori i shëndetit mund të hetojë më shumë nëse është e nevojshme që ky fëmijë duhet të trajtohet apo duhet të kthehet në shtëpi. Në momentin që një prind ka gënjyer, ose nuk ka thënë të vërtetën për fëmijën e tij, atëherë ai mban përgjegjësi penale”, shprehet ai.
Rreth 7 mijë nxënës dhe rreth 120 mësues në të gjithë vendin sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar kanë munguar në shkollë në ditët e para të zhvillimit të mësimit.
Arsyet janë të ndryshme që nga izolimi për shkak të prekjes nga koronavirusi, karantina si person kontakti apo dhe probleme të tjera familjare për mësuesit.
Ndërsa tek nxënësit mungesa është justifikuar kryesisht me frikën apo pamundësinë që kanë prindërit për ti rikthyer fëmijët në bankat e shkollës.
/abcnews.al/


