Mesi: Qeveria ka gati draftin për të plotësuar 8 kërkesat e studentëve

schedule20:06 - 17 Dhjetor, 2018

schedule 20:06 - 17 Dhjetor, 2018

“Qeveria ka gati draftin për të plotësuar më shumë se 8 kërkesat e studentëve protestues”. Këtë deklaroi në studion e Mbrëmje në ABC News Zëvendëskryeministrja Senida Mesi, e cila sikurse edhe kreu i qeverisë e vuri theksin te dialogu.

“Dialogu është shumë i rëndësishëm. Qeveria e sheh protestën si një element të reformimit total të sistemit arsimor. Këtu nuk është vetëm realizimi i 8 pikave. Kemi të bëjmë me dy vendimarrje të rëndësishme se çfarë ka në dorë qeveria dhe  ç’duhet të bëjnë universitetet, pasi kanë autonominë e tyre dhe nuk duam të cënojmë autonominë e universiteteve dhe të gjithë të ndërtojmë një platformë që të fillojë me legjislacionin e ri, me aktet normative dhe për të rregulluar gjithë proceset e procedurat akademike e administrative, të rrisim transparencën, të ndërtojmë një lloj metodologjie sa i takon tarifës, rritje e cilësisë së mësimëdhënies e performancës së mësimdhënies”.

Apelit të Presidentit ndaj Kuvendit në lidhje me plotësimin e kërkesave të studentëve protestues, numri dy i qeverisë iu përgjigj: “Ne do trajtojmë këtë javë edhe dekretin për buxhetin dhe thirrja e Presidentit shkon për këtë qasje. Ne mendojmë se zgjidhja e problematikës nga këto ditë proteste nuk është vetëm buxheti”.

Ajo e konsideron të parealizueshëm buxhetin 5% për arsimin, dhe këtu rendit shifrat dhe arsyet e mosrealizimit.

“Do trajtojmë dekretin për buxhetin. E rëndësishme është dialogu, të flasin me argumeta të qenësishëm pasi 5% duket pak në krahasim me 3.17 apo 3.27 që do jetë. Nëse duhet të shkojmë te 5%, duhet të shtojmë në buxhet dhe 260 milionë euro për të shkuar te 700 milionë dollarë buxhet vetëm për arsimin, sa reale pa prishur balancet dhe investimet do ishte shtesa?

Vendet më të mëdha të BE e kanë realizuar, por vetëm një numër i caktuar i tyre. Ku GDP e tyre është shumë më e madhe se ekonomia jonë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të ulemi me studentët për të kuptuar që nuk është e realizueshme sot për nesër. Duhet të ndërtojmë një platformë sepse nga çfarë mund të heqim dorë apo çfarë duhet të lëmë mangët”.

Sipas numrit dy të qeverisë, politika po përpiqet ta manipulojë protestën e studentëve, ndonëse u shpreh besimplotë për arritjen e dialogut.

“Protesta është politizuar, respekt për ata studentë që nuk kanë pranuar interferimin e politikës. Ato studentë janë ende në rrugë të gatshëm për të dialoguar, por ndoshta dhe nga presioni që po bëhet në disa sfera ndjehen të pazotë për të shprehur dëshirën për dialog. Ne thjesht duam të kuptohemi më mirë, duam që ky draft në qeveri të jetë edhe i tyri. Unë jam besimplotë që në të gjitha universitetet do vëmë dialogun sepse studentët kanë të drejtë”.

Si drejtuese teknike e grupit të punës, Mesi theksoi se deputetë, pedagogë dhe individë që kanë ekspertizë për fushën janë gati që ulen me studentët dhë të kuptojmë çdo propozim të njëri-tjetrit.

Sa i përket lëvizjes së emrave dhe posteve, Mesi theksoi se të gjithë të emëruarit e bordeve të administrimit do të shkarkohen.

“Pjesa e bordeve të administrimit që janë të emëruar do të shkarkohen, pjesa e rektorëve janë pozicione që fitohen nëpërmjet një procesi zgjedhor. Anketimi i studentëve mos rrijë vetëm në dekanate e rektorate, por edhe në ministri”./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!