Merkatoja e transferimeve ka nisur vrullshëm për skuadrat shqiptare që marrin pjesë në kupat e Europës. Skuadra kampione e Shqipërisë, Partizani vijon përgatitjet në Slloveni.
Të kuqtë kanë zyrtarizuar dy afrime në repartin difensiv. Bëhet fjalë për mbrojtësin Esin Hakaj dhe Uilliam Kordeiro. Kryeqytetasit kanë kompletuar fazën mbrojtëse dhe synimi kryesor i klubit është nënshkrimi me një bomber që garanton gola. Të kuqtë kanë si objektiv futbollistin shqiptar Mirlind Daku dhe sulmuesin e Kievos Bismark i cili konsiderohet si pasuesi i Ekuban.
Mjaft aktive në këtë merkato ka qenë skuadra nënkampion Kukësi. Verilindorët do të luajnë ndaj Debrecen në turin e parë të Europa League dhe përforcimet ishin të detyruara. Skuadra e teknikut Gjoka ka zyrtarizuar plot 5 futbollistë. Emiljano Musta, Mark Van Basten Çema, Ilir Avdli, Bruno Lulaj dhe së fundmi ka firmosur edhe mbrojtësi Kitanovski. Ashtu sikurse Partizani, edhe Kukësi synon nënshkrimin me një sulmues potent pas largimit të Rexhinaldos.
Skuadra tjetër shqiptarë që merr pjesë në kupat e Europës, Laçi ka pasur një merkato më pasive, por ka siguruar dy futbollistë tepër të rëndësishëm. Sulmuesin Baubueze dhe mbrojtësin me origjinë serbe Aleksander Ignjatoviç.
Merkato e fuqishme për skuadrën e Tiranës. Bardheblutë synojnë një sezon madhështor dhe kanë ofruar në skuadër tre ish-lojtarë të Flamurtarit. Elton Kale, Agustin Torasa dhe Idriz Batha janë tre përforcimet e para të bardhebluve. Skuadra më e titulluar në Shqipëri ka objektiva tË tjera dhe priten zhvillime të reja./ABC News Albania 24/7