Policia e Shtetit bëri të ditur detaje të megaoperacionit kundër trafikimit të jashtëligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Anglisë. Kreu i policisë së shtetit, Ardi Veliu, zbardhi skemën e përdorur nga trafikantët, iteneraret e ndjekura, si dhe pagesën që i merrnin çdo klandestini.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria për Krimet e Rënda goditën një rrjet të trafikimit të paligjshëm të gati 1 mijë shqiptarëve drejt Anglisë, SHBA-ve dhe Kanadasë.
Detajet e megaoperacionit të zhvilluar pas një hetimi disamujor të strukturave shqiptare në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese partnere si edhe Europol e Interpol u bënë të ditura nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Ardi Veliu: “Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se 7 grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Britani, Irlandë, ShBA e Kanada, kanë mundësuar kontrabandimin e rreth 1 mijë personave (shtetas shqiptarë) në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar, ShBA-ve dhe Kanadasë.
Për çdo person paguhej nga 7 000 paund për në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga 25 000 deri në 30 000 dollarë për në ShBA dhe Kanada.
Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përmes veprimeve aktive ndihmonin shtetasit shqiptarë të interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të mësipërme, duke falsifikuar dokumenta udhëtimi dhe identiteti të vendeve të BE-së.
Ata përdornin iteneraret:
• Shqipëri – Itali – Mbretëri e Bashkuar
• Shqipëri – Francë – Mbretëri e Bashkuar
• Shqipëri – Bullgari – Belgjikë – Republika Domenikane – SHBA / Kanada
• Shqipëri – Spanjë – Amerika Latine – SHBA/Kanada”.
Sipas Veliut, për llogari të këtij hetimi, Gjykata për Krimet e Rënda ka lëshuar 51 fletë arresti, nga të cilat 39 janë ekzekutuar dhe 12 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Ardi Veliu: “Gjithashtu janë arrestuar edhe 4 punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë kontrollorë në Pikat e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit dhe Qafë Thanë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer regjistrimin e shtetasve të kontrabanduar në pikat e kalimit kufitar, në kundërshtim me ligjin.”
Hetimet për këtë procedim penal vijojnë në lidhje me persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./abcnews.al