Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu mblodhi këtë të diel Këshillin Politik republikan të Tiranës, ku ai theksoi se me qindra të rinj i janë bashkuar PR, duke e cilësuar këtë një moment të rëndësishëm pasi Shqipëria ka nevojë të ndryshojë dhe për të ndërtuar një shtet që i takon shqiptarëve dhe jo të korruptuarve.
“Ne kemi nevojë për një platformë politike të qartë, e cila u flet shqiptarëve me shqetësimin qytetar për atë ç’ka është, dhe atë ç’ka duhet të ndryshojë. Ne duhet të ndërtojmë po ashtu dhe një platformë bashkëqeverisëse, e cila i jep mundësi jo thjeshtë lidershipit politik për ta parë qeverinë si aset të tyre, por i jep shqiptarëve besimin që po ndërtohet një shtet, që u shërben interesave të tyre, dhe në këtë qeverisje janë përfaqësuar njerëz që kanë integritet profesional, integritet moral dhe do të bëjnë një qeverisje ndryshe nga herët e tjera”, tha Mediu.
Sipas Mediut, është momenti që e djathta të marrë përgjegjësit dhe të afrojë pranë vetes intelektualë, si një rrugë për të larguar kryeministrin Edi Rama dhe për të ndërtuar shpresën për Shqipërinë Europiane./abcnews.al