Mediat greke: Turqia mund të vrasë ushtarët që u arratisën

schedule13:36 - 4 Prill, 2018

schedule 13:36 - 4 Prill, 2018

“Protothema” ka parlajmëruar autoritetet greke se inteligjenca turke po kërkon të rrëmbejë apo vrasë 8 ushtarët turq, të cilët kërkuan azil në Athinë pas grushtit të dështuar të shtetit. Madje, kjo media thekson se prej kohësh shërbimi sekret i Ankarasë vepron në qytetet më të rëndësishme europiane.

Media greke “Protothema”, duke sjellë si shembull operacionin e fundit të Shërbimit Sekret të Turqisë në Kosovës kundër 6 shtetasve turq, paralajmëron autoritetet se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në territorin grek. Madje nënvizon se Ankaraja ka nisur një ofensivë të fshehtë në kryeqytetet europiane për të zbuluar dhe asgjësuar mbështetës të partive dhe militantëve kurdë si dhe ata të imamit Fetullah Gylen, i cili konsiderohet nga Presidenti Erdogan si drejtues i një organizate terroriste.

“Protothema”, akuzon inteligjencën turke se ka rrëmbyer 6 shtetas në Kosovë, dhe paralajmëron se 8 ushtarët turq, që u arratisën pas grushtit të shtetit, mund të rrëmbehen apo vriten nga agjentët sekretë nëse lirohen nga paraburgimi.

“Në një rast të tillë, megjithatë, nuk do të ishte hera e parë që shërbimi sekret i Turqisë do të vepronte në këtë mënyrë në tokën europiane”, shkruan kjo media.

Gjithashtu thekson se në Hagë, Turqia ka një degë të mirëstrukturuar, në shkallë të gjerë të Shërbimit të Inteligjencës.

“Agjentët turq të MIT jetojnë në kryeqytetet europiane, duke punuar në agjencitë e udhëtimit, zyra përkthimit, banka dhe xhami duket se kanë kthyer Europën në një fushë të privilegjuar të veprimit. Kërcënimet, rrëmbimet dhe vrasjet e aktivistëve kurdë apo mbështetësve të Gylen kanë alarmuar autoritetet për sigurinë në shumë vende, të tilla si Gjermania, Franca, Belgjika dhe Holanda”, vijon më tej në shkrim “Protothema”.

Madje kjo media përmend edhe një rast konkret, kur në 9 Janar të 2013, në Paris u vranë 3 mbështetës të partive kurdë nga agjentë të inteligjencës turke. Ndërsa nënvizon se ambasadat e Turqisë në vende të ndryshme funksionojnë si qendra ndihmuese për këta agjentë sekretë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!