Një ditë pas atentatit në Rinas, që tronditi opinionin publik, policia ka heton një person të dyshuar si informator të grupit të vrasësve të Gilmando Danit.
Ndërsa përshkroi një identikit të tij, gazetari Ervin Leka tha për ABC News, se policia po heton një person me syze, me mjekër dhe trup mesatar, i cili ndodhej brenda ambjenteve të aeroportit dhe ka kryer lëvizje të dyshimta.
Referuar burimeve nga grupi i hetimit, ky shtetas është afruar pranë zonës së Rinasit rreth orës 13:00, ku ka zbritur nga një makinë tip “Fiat” që u parkua pranë parkimit të aeroportit.
Nga kamerat e sigurisë rezulton se, sapo ky shtetas është futur brenda, ka parë në monitor avionët që do të zbresnin në ato minuta. Sipas verifikimeve, avioni i linjës Barcelonë–Tiranë ishte vonuar me rreth 15 minuta, dhe në ato çaste ai është drejtuar drejt tualeteve të aeroportit, për t’u kthyer më pas në vendin ku dalin pasagjerët.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se, sapo kanë mbërritur Dani dhe Muçi, të cilët kishin me vete nga një çantë, personi i dyshuar ka nisur menjëherë telefonatat.
Ky shtetas i ka ndjekur nga pas dy personat deri sa ata kanë hipur në makinë, ku sipas informacioneve, qëllimi i tij ishte të tregonte se ku do të ulej shënjestra Gilmando Dani. Sapo dy personat kanë hipur në makinë, i dyshuari është larguar me shpejtësi në këmbë në krahun e kundërt të lëvizjes.
Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, është ekzekutuar mesditën e 11 nëntorit pranë rrethrrotullimit të Rinasit, në një atentat mafioz, ku mbeti i plagosur edhe miku i tij, Muçi Shaljani i njohur edhe me mbiemrin Sheqeri. Viktima Gilmando Dani i cili ishte pasagjer dhe i plagosuri Muçi Shaljani ne timonin e makinës, sapo ishin kthyer nga Barcelona, vend ky ku kishin ikur më datë 7 nëntor.Në momentin që ata janë nisur në drejtim të Tiranës me një automjet tip Mercedez Benz, autorët u kanë dalë para tek rrethrrotullimi i Rinasit dhe kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi./abcnews.al

