Në Britaninë e Madhe mund të jetë shënuar vdekja e dytë si pasojë e koronavirusit.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat në vend ndërsa shtojnë se ende po presin për një konfirmim zyrtar. Gjithsesi në të dhënat që pasqyrohen tek worldometer pasqyrohet se numri i personave që kanë ndërruar jetë në Angli është dy.
Dyshohet se bëhet fjalë për një burrë në të tetëdhjetat i cili ka pasur komplikacione shëndetësore dhe ka ndërruar jetë në spitalin Milton Keynes.
Mjekët tashmë po presin që të dalin rezultatet zyrtare të testeve të bëra. Pacientët e tjerë në spitalin ku ndërroi jetë i moshuari janë vënë në izolim ndërsa në spital u bë një “operacion i madh” pastrimi dhe dezinfektimi këtë mëngjes.
Mjekët që janë kujdesur për të moshuarin janë vënë gjithashtu në izolim.
Deri më tani numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Britaninë e Madhe është 163 ndërsa numri i të shëruarve, 18.
Këtë mëngjes u raportua se numri i rasteve në botë ishte rritur në 100,329, por gjatë ditës u shtuan edhe 350 raste të tjera. Virusi që nisi të përhapej rreth dy muaj më parë u ka marrë jetën deri më tani 3,412 personave. /abcnews.al/