21: 30-Për tre orë ka zgjatur sot protesta marshim e opozitës. Ndryshe nga protesta e 11 Majit në këtë tubin nuk janë shënuar shumë incidente. Por situata është shfaqur e tensionua në disa raste tek Drejtoria e Policisë së Tiranë, ku protestuesit kanë thyer xhamat e ndërtesë dhe një polic mbeti i lënduar. Ata kanë qëlluar me kapsolla dhe sende të fortja në drejtim të godinës. Ndërkohë gjatë gjithë kohës, protestuesit kanë bërë thirrje të tilla si “Rama ik”. “Qeveria krimit”; “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, etj. Ndërkohë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, protestuesit kanë kërkuar lirimin e qytetarëve të ndaluar në protestën e të shtunës duke bërë thirrje “lironi vëllezërit tanë”. Ashtu sikundër është bërë traditë tashmë, protesta u mbyll me një fjalë që mbajti kryedemokrati Basha para selisë së PD-së.
20: 45-Protestuesit e opozitës janë zhvendosur tek Drejtoria e Policisë së Tiranës. Protestuesit kanë thyer disa xhama të ndërtesës së policisë së kryeqytetit. Ky është destinacioni përfundimtar i marshimit të sotëm të protestuesve opozitarë.
20: 10– Njoftim i Policisë së Shtetit: “Gjatë protestës së Partisë Demokratike përpara Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u hodh një numër i madh kapsollash të ndaluara. Si rezultat i këtyre goditjeve është lënduar një punonjës policie, i cili është dërguar në spital për trajtimin e nevojshëm. Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të protestës dhe protestuesve që të ndalojnë goditjet provokuese ndaj policisë”.
19:55- Protestuesit kanë mbërritur para godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Gazetari i ABC News Andi Qosja raporton se policia ka marrë masat duke vendosur 3 gardhe para portës hyrëse të parlamentit.
19:50 –Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka i kërkoi militantëve që të ndjekin liderin e opozitës, Lulzim Basha. Kjo është hera e parë që protestat e opozitës së bashkuar organizohen edhe përballë institucionit më të lartë të policisë në vendin tonë. Më herët është protestuar para Kryeministrisë, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, por edhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës, por jo edhe para Policisë së Shtetit.
19:40- Pas Kryeministrisë, protestuesit kanë mbërritur te drejtoria e Policisë, ku edhe kanë hedhur tymuese drejt godinës së këtij institucioni duke thyer xhamat e hyrjes dhe pas kësaj po marshojnë drejt Kuvendit të Shqipërisë.
19:17 – Pas fjalës së kreut demokrat Lulzim Basha para Kryeministrisë, protestuesit po largohen drejt Drejtorisë së Policisë sipas itinerarit të paralajmëruar. Gjatë qëndrimit para Kryeministrisë nuk pati akte dhune dhe nuk është hedhur asnjë tymuese. Protestuesit nuk u afruan as te gardhi policor.
19: 00- Fjala e Bashës para protestuesëve tek Kryeministria https:
“Kërkojmë një të drejtë të pakontestueshme të kushtetutës tonë, themelin e vlerave evropiane, votën e lirë dhe të ndershme Shqipëria dhe kryeministri ilegjitim i dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar ju përgjigj thirrjes tonë me dhunë, provokime, rrahje, gaz lotsjellës e helmues. Qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen, zgjidhjen e vetme që ka ofruar Rama për plagën që i ka hapur këtij vendi. Përgjigjja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë ishte dhuna.
Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur Rama në bashkëpunim me kupolën e mafies, për të blerë më të shtrenjtën vlerë që ka çdo shqiptar, votën e lirë.
Edi Rama vjedh shqiptarët, u vjedh taksat, u vjedh pronat gjithçka, sepse nuk jep llogari askund përveç se tek krimi i organizuar. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës. Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat evropiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin.Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit. Ejani me ne që ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptari”, tha Basha.
18:50- Kryedemokrati Lulzim Basha dhe protestuesit nga selia blu fillojnë marshimin protestën.
Nisi në orën 18:30 protesta kombëtare e opozitës. Mbështetësit janë mbledhur para Kryeminsitrisë. Ata do të marshojnë nga sheshi Skendërbej te kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Parlament, Ministria e Brendshme. Nga të dhënat paraprake mësohet se do të jetë një marshim, por ende nuk dihet skenari i saktë.
Itinerari i marshimit të protestës së thirrur nga opozita: Sheshi “Skënderbej” Kryeministri Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Parlament Ministria e Brendshme Drejtoria e Policisë Tiranë.
Sipas PD, simbolika e këtij marshimi proteste janë institucionet e kapura nga krimi- Parlamenti dhe Qeveria, si dhe institucionet që janë vegla të dhunës barbare policore mbi qytetarët dhe liritë e të drejta e tyre.
Pritet të ketë numër të konsiderueshëm përfaqësuesish pavarësisht kushteve të vështira metereologjike.
Në protestën e sotme marrin pjesë 1500 efektivë për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa Ministria e brendshme bëri apel për distancim nga dhuna.
Edhe trupat diplomatike në Tiranë reaguan duke bërë thirrje për distancim nga dhuna dhe bënë thirrje për dialog. /abcnews.al